Kërkohet suspendimi i profesorëve plagjiatorë
ORCA dhe ADMOVERE kanë ringritur edhe njëherë çështjen e avancimit të profesorëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike.
Në një konferencë për media, përfaqësues të organizatave përkatëse kërkuan nga rektori i UP-së, Marjan Dema, krijimin e një komisioni të veçantë me pjesëmarrës ndërkombëtare për të hetuar rastet në fjalë.
Rron Gjinovci nga ORCA ka thënë se pavarësisht se u kanë dërguar senatorëve vlerësimin për punimet e këtyre kandidatëve nga FIM dhe bërjes publike të të gjeturave të analizës së ORCA-a, të njëjtit janë avancuar nga profesorë të asocuar në profesorë të rregullt.
“Në mbledhjen e 23 korrikut të këtij viti, Senati vendosi pozitivisht për avancimin e Ahmet Shalës, Ramë Likajt, Azem Kyçykut, Mirlind Bruçit, Naser Lajçit, Nexhat Qehajës, Rexhep Selimajt dhe Xhevat Berishës, edhe pse të njëjtit kanë publikuar 5-19 artikuj në revista të pretenduara shkencore gjatë periudhës 2017-2018”, ka thënë ai.
Po ashtu edhe Shkëlzen Gashi nga ADMOVERE tha se nga gjithsej 16 pjesëtarë të stafit akademik të UP-së të cilëve u janë shpalosur plagjiaturat në media, shumica nuk kanë reaguar asnjëherë ndaj akuzave.
“Prej këtyre rasteve, vetëm 3 janë suspenduar nga procesi mësimor, mirëpo më pas janë rikthyer. Vetëm njërit i është ndërprerë kontrata e punës”, ka thënë Gashi