Kërkohet të hetohen votat e ardhura nga diaspora

16 nëntor 2021 | 15:40

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është kërkuar të hetohen votat të cilat kanë ardhur nga jashtë vendit, për shkak të dyshimeve për manipulimin e tyre.

Anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, ka thënë se i ka parë disa nga fletëvotimet që janë duke u ruajtur në Ministrinë e Transportit dhe sipas tij duket qartë se një numër të madh të tyre i ka plotësuar i njëjti person.

“Në zgjedhjet e shkurtit kemi filluar numërimin për votat nga jashtë mandej me kusht. Kjo me qëllimin e vetëm të kemi qartësi. Është mirë të na sqarojë sekretariati. Sa i përket çështjes me votat nga jashtë për tri komuna, Mamushë, Junik dhe Dragash janë dukshëm më të vogla. Prandaj edhe sot isha në Ministri të Transportit edhe i kam parë. Duket qartë që disa nga këto fletëvotime të dhënat aty i ka plotësuar i njëjti person. Prandaj këto kërkojnë një hetim dhe të verifikohen në qoftëse këta persona janë regjistruar. Është mese e nevojshme që këto aplikime t’i nënshtrohen një verifikimi nga KQZ-ja. Duhet të bëhet një hetim nga KQZ-ja dhe të kemi një raport në bazë të qyteteve nga ku kanë ardhur ato”, ka thënë Elshani.

Po ashtu edhe Sami Kurteshi nga lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se është pro këtij propozimi. “Prej tri komunave po na dalin më shumë. Një shumë aq e madhe e njerëzve konfirmojnë 0.3 për qind që nuk kanë aplikuar për shkak që ka hajna të votave. Prandaj jam për t’u ndjekur procesi që të verifikohen”, ka deklaruar Kurteshi.

Edhe Florian Dushi nga LDK-ja, ka thënë se duhet që të ketë verifikim të këtyre votave.

Ndërsa kryeshefi ekzekutiv i sekretarit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka thënë se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është pranuar i gjithë materiali i ndjeshëm nga të gjitha komunat.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të pranishmit në festivalin e muzikës rock, “Rockville” mbetën të…