Kërkohet të mbyllen llogaritë e liderëve iranianë në rrjetet sociale
Departamenti amerikan i Shtetit ka kërkuar prej rrjeteve sociale “Facebook”, “Instagram” dhe “Twitter” të ndërpresin llogaritë e liderëve të regjimit iranian deri në rivendosjen e internetit në vend. Iranianët janë shkëputur nga bota që prej një jave pas ndërprerjes pothuajse të plotë të internetit në Teheran në kuadër të manifestimeve të dhunshme.
“Ky është një regjim thellësisht hipokrit. Ai ndërpret internetin, ndërkohë që qeveria vazhdon të përdorë të gjitha llogaritë e saj në rrjetet sociale”, ka deklaruar sot i dërguari amerikan për Iranin, Brian Hook, në një intervistë për “Bloomberg”. “Ne ju kërkojmë kompanive të rrjeteve sociale si ‘Facebook’, ‘Instagram’ dhe ‘Twitter’ të ndërpresin llogaritë e liderit suprem Ali Khamenei, të ministrit të Punëve të Jashtme, Javad Zarif dhe presidentit, Hassan Rohani deri në kthimin e internetit për popullin”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, me ndalimin e internetit regjimi po përpiqet t`i të gjitha vdekjet dhe tragjedinë që ka kryer.
“Facebook” dhe “Instagram” nuk janë përgjigjur menjëherë dhe “Twitter” theksoi se nuk kishte asnjë koment për të bërë. “Regjimi po përpiqet të ndalojë internetin për të fshehur të gjitha vdekjet dhe tragjedinë që ky regjim ka shkaktuar ndaj mijëra protestuesve në mbarë vendin”, ka theksuar Hook.