Kërkohet të rritet edukimi për shëndetin mendor në shkolla e universitete

20 shkurt 2024 | 13:33

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) dhe Qendra Amerikane e Solidaritet me seli në Tiranë, kanë mbajtur të martën konferencën dyditore “Kujdesi për shëndetin mendor në shkollat e Kosovës”.

Në këtë konferencë morën pjesë edhe pjesëmarrës e drejtuesve të lartë të Qendrës së Solidaritetit me seli në Uashington DC të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka falënderuar të pranishmit për këtë konferencë, me ç’rast tha se konferenca e sotme dëshmon një front të përbashkët të angazhimeve në shërbim të arsimit.

“Jemi të nderuar që përfaqësuesit e këtyre sindikatave simotra bashkë me përfaqësueset e sindikatës nga Sllovenia janë bashkë me ne, në këtë aktivitetet dhe dua t’i falënderoj. Kjo konferencë dëshmon se bashkërisht e duke krijuar një front të përbashkët të angazhimeve në shërbim të arsimit, mund të ndihmojmë në ndryshimet për të mirën e një shkolle e për një arsim më cilësor”, ka deklaruar Jasharaj.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, e konsideroi thelbësore këtë konferencë dhe shpreson që të përdoret në ndryshimin dhe zhvillimin e shkollave në vend.

“Sot jemi mbledhur në angazhim te përbashkët për të diskutuar për shëndetin mendor. Kjo temë është në kohën e duhur dhe thelbësore për shkak të rëndësisë që ka adresimi i shëndetit tonë mendor dhe nuk është vetëm detyrim, por është një obligim i komunitetit tonë. Shpresojmë që këto diskutime të na dërgojnë në zhvillimin e shkollave dhe ta përdorim këtë konferencë si një katalizator në ndryshimin e zhvillimin e shkollave tona”, ka deklaruar Hykolli.

Kryetarja e Odes së Infermierëve të Kosovës, Nexhmije Gori, ka kërkuar nga institucionet që të rrisin edukimin për shëndetin mendor në shkolla e universitete.

Ajo ka thënë se shpesh herë keqkuptimet në çështjet e shëndetit mendor, i bëjnë njerëzit të vuajnë në heshtje dhe nuk kërkojnë trajtim për vështirësitë e tyre.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Rumanisë ka bërë publike formacionin më…