Kërkohet vëmendje institucionale për projektligjet ekonomike
Njohësit e çështjeve ekonomike, Hekuran Murati dhe Ismet Mulaj, kanë kërkuar që deputetët të jenë më të përgjegjshëm sa iu përket përgjegjësve që i kanë konform ligjeve ekonomike. Sipas tyre, çdo prolongim i projektligjeve ekonomike është sinjal negativ për investitorët e huaj.
Në Kuvendin e Kosovës kanë kaluar në parim Projektligji për të Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe ai për Tatimin në të Ardhurat Personale. Këto dy projektligje u bartën nga seanca e kaluar pasi nuk kanë mundur të hidhen në votim për shkak të mungesë së kuorumit. Në lidhje me këtë çështje, eksperti financiar Hekuran Murati ka thënë për gazetën “Epoka e re” se sa iu përket projektligjeve janë dy ndryshime për të cilat do të duhej të bëhej debat, heqja e tatimit prej pesë përqindësh në primet e shkruara nga kompanitë e sigurimeve, si dhe heqja e dividendës nga të hyrat e liruara nga tatimi.
Murati ka thënë se mungesa e kuorumit në seancat plenare, edhe pse tërthorazi ndikon në efektet makroekonomike, është sinjal negativ që çon tek investitorët potencialë të huaj. “Mungesa e kuorumit në Kuvend nuk është se ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit për arsye se projektligjet në fjalë nuk parashohin ndryshime substanciale në politikat fiskale. Mirëpo ndikimi vjen tërthorazi për aq sa kjo gjendje e ngecjes së legjislativit të vazhdojë, për shkak se te investitorët e mundshëm çon sinjale të mungesës së stabilitetit politik dhe pasigurisë në investime”, ka thënë Murati, duke shtuar se heqja e tatimit prej pesë përqindësh në primet e shkruara nga kompanitë e sigurimeve nëse zbatohet si duhet, paraqet një hap para në zhvillimin e sektorit të sigurimeve jo të detyrueshme. “Megjithatë, duhet shtuar kujdesi dhe mbikëqyrja nga ana e BQK-së dhe ATK-së në mënyrë që të evitohen manipulime të cilat çojnë në nëndeklarim të fitimit të kompanive të sigurimeve”, ka thënë ai.
Kurse sa i përket rikthimit të dividendës në kategorinë e të hyrave që tatimoren, paraqet hap prapa sa i përket tërheqjes së investimeve të reja. “Për shkak se me këtë veprim zvogëlohet niveli i kthimit në investim dhe me të edhe interesimi për të investuar”, është shprehur Murati.
Njohësi i çështjeve ekonomike dhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Ismet Mulaj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se momentumi i krijuar në Kuvendin e Kosovës është duke pamundësuar krijimin e reformave ekonomike. “Situata e cila është krijuar në Kuvendin e Kosovës po pamundëson krijimin e reformave ekonomike, pasi po pamundësohet miratimi i ligjeve të cilat janë strukturore për mënyrën e të bërit biznes në Kosovë”, ka thënë Mulaj.
Ai ka shtuar se ky neglizhim i deputetëve të Kosovës dhe mospjesëmarrja në seancë, kur në rend dite janë ligjet ekonomike, është destimulim për investitorët e huaj. “Situata e krijuar fatkeqësish është duke e zvogëluar mundësinë që në vendin tonë të vijnë dhe të investojnë investitorët e huaj, duke marrë parasysh edhe faktin që vendet që kanë korrupsion dhe probleme politike nuk janë atraktive për investitorët e huaj. Prandaj, kjo situatë nuk është e favorshme për reformat strukturore ekonomike”, ka thënë Mulaj.
Ndërkaq sa i përket tatimit të dividendës, Mulaj ka thënë se çdo tatim i ri dhe çdo taksë e re është barrierë për t’i bindur investitorët e huaj për të investuar në Kosovë. “Do të apeloja te të gjithë deputetët e Kosovës që mos ta ngarkojnë sistemin tatimor me taksa të reja. Pastaj kemi edhe taksën prej pesëpërqindësh të të tatuarit në qarkullim për kompanitë e sigurimeve në Kosovë. Kjo është ngarkesë dhe në këtë mënyrë po krijon një situatë jo të favorshme për ta zhvilluar afatizimin e tyre në Kosovë”, është shprehur Mulaj.
(Albulena MAVRAJ)