Kërkohet vëmendje institucionale për sigurimin shëndetësor për policinë
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës (ShSK), Sami Mazreku, ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se sigurimet shëndetësore për Policinë e Kosovës janë domosdoshmëri dhe jo luks.
“Në kohën në të cilën po kalojmë sigurimi shëndetësor nuk mund të konsiderohet si luks, por domosdoshmëri, sidomos për policinë që janë të ekspozuar karshi rreziqeve”, ka thënë ai.
Mazreku ka shtuar se sigurimi shëndetësor dhe jetësor i pjesëtarëve policorë në mënyrë automatike do t’ia heqtë një barrë të madhe shtetit të Kosovës për faktin se policia në vazhdimësi është e ekspozuar karshi rreziqeve të ndryshme. Ai ka theksuar se praktika të ngjashme kanë ndjekur edhe vendet e rajonit, shembull Mali i Zi përmes ligjit ka përcaktuar nxjerrjen e akteve nënligjore që mundësojnë njohjen e të drejtave të policëve nga sigurimi pensional dhe invalidor.
“Po ashtu, edhe në praktikën e Serbisë kjo çështje është rregulluar në atë mënyrë që, përveç sigurimit shëndetësor që është i obligueshëm me ligj për të gjithë qytetarët, pjesëtarët policorë gëzojnë trajtim mjekësor përtej kufizimeve të cilat janë përcaktuar me Ligjin për sigurimin shëndetësor të obligueshëm, që rrjedhin si pasojë e detyrës që kryejnë, kërcënimeve për shëndetin dhe jetën e tyre, si dhe në çështjet e tjera që ndikojnë në uljen e kapacitetit të punës”, ka thënë Mazreku, duke shtuar se është e domosdoshme që në mungesë të sigurimit shëndetësor, Qeveria e Kosovës të ndërmarrë veprime për ndarjen e fondeve të nevojshme për sigurimin e shëndetit dhe jetës së policëve të Kosovës.
Në këtë drejtim ai ka pohuar se rreziku dhe detyrimi për kompensimin e rasteve që do të ndodhin do të bartet te kompanitë e sigurimit. Sipas Mazrekut, në këtë mënyrë buxheti i shtetit do të lirohet nga shpenzimet shtesë për këtë qëllim. Ai ka shtuar se mungesa e fondeve është arsyeja kryesore e zvarritjes së kësaj çështje.
“Që nga fillimi i ofrimit të sigurimit shëndetësor kompanitë e sigurimeve janë dëshmuar se kryejnë obligimet ndaj palëve me përgjegjësi të lartë. Vazhdimisht kemi biseduar me përfaqësues të Sindikatës së Policisë së Kosovës, me zyrtarë të lartë të menaxhmentit të policisë, si dhe me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku u kemi ofruar të gjitha informacionet e nevojshme që ata kanë kërkuar. Mungesa e fondeve ka qenë arsyeja e vetme që policët e Kosovës deri më tash nuk kanë sigurim shëndetësor. Shpresojmë se në të ardhmen kjo çështje do të zgjidhet dhe policia do të trajtohet njëjtë sikurse në vendet e rajonit dhe më larg. Ne jemi munduar që disa herë t’ia bëjmë me dije zyrës së kryeministrit domosdoshmërinë e sigurimit të shëndetit dhe jetës për pjesëtarët e policisë”, ka thënë ai, duke treguar për komunikimin e fundit që kanë pasur për këtë temë me kryeministrin.
“Më 2 maj i kemi shkruar kryeministrit Haradinaj, pas tragjedisë së ndodhur në afërsi të Kaçanikut, ku gjatë detyrës dy pjesëtarë të policisë humbën jetën tragjikisht. Pas kësaj fatkeqësie shoqata jonë në vazhdimësi është munduar t’i sensibilizojnë drejtuesit e institucioneve rreth nevojës urgjente të sigurimit shëndetësor dhe jetësor për pjesëtarët e policisë së Kosovës”, ka thënë Mazreku.
Ai ka bërë me dije se ende nuk kanë marrë një përgjigje nga zyra e kryeministrit. “Pavarësisht prej shkresave që ne i kemi dërguar, deri më tani nuk kemi marrë ndonjë njoftim nga ta për të biseduar rreth kësaj çështje shumë të rëndësishme. Shpresojmë se sigurimi shëndetësor dhe jetësor i policëve të Republikës së Kosovës do të bëhet shpejt”, ka thënë Mazreku.
Ai ka treguar se për çështjen e sigurimit shëndetësor dhe jetësor të policëve disa herë kanë biseduar edhe me përfaqësuesit e Sindikatës së Policisë dhe zyrtarë të lartë drejtues të policisë.
“Me kërkesë të Sindikatës së Policisë kemi mbajtur një takim me ushtruesin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Naim Rexha, ku i pranishëm gjatë takimit ka qenë edhe këshilltari i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Policisë ua kemi dorëzuar edhe ofertën konkrete financiare rreth kostos mujore dhe vjetore të sigurimit shëndetësor dhe jetësor të policëve. Të gjitha palët që janë pjesë e procesit kanë shprehur gatishmëri maksimale për ta zgjidhur këtë problem, por derisa nuk ka mjete atëherë nuk ka as rezultat të shpejtë”, ka thënë Mazreku.
Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haxhi Shala, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se çështja e sigurimeve shëndetësore për Policinë e Kosovës duhet të jetë prioritet i Qeverisë.
Ai ka thënë se pa sigurim shëndetësor të policëve Kosova nuk mund të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare si Interpol dhe Europol. “Jo vetëm polica, por askush nga institucionet e Kosovës deri më sot nuk është menduar të kenë sigurime shëndetësore, përveç punëtorëve të Postës. Sidoqoftë, çështja e Policisë është diçka e veçantë që shteti, ministrat e linjës dhe kryeministri duhet të mendojnë seriozisht që Policia e Kosovës të ketë sigurime sepse çdo ditë janë të rrezikuar në punë. Ne po synojmë të jemi në Interpol dhe Europol dhe pa sigurime shëndetësore nuk mund të jemi pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë. Andaj Qeveria e Kosovës duhet të merret seriozisht me këtë çështje”, ka thënë Shala, i cili ka bërë me dije se këtë temë si komision e kanë trajtuar edhe me Sindikatën e Policisë së Kosovës.
Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Ministria e Financave i vendos në projektbuxhet kërkesat të cilat janë nga organizatat buxhetore duke marrë parasysh edhe mundësitë buxhetorë. Ai ka theksuar se pritjet e tyre janë që sa më shpejt të fillohet zbatimi i reformave të sigurimeve. “Pritjet tona janë që të fillohet sa më shpejt zbatimi i sigurimeve”, është shprehur ai.
Valbona Kamberi, zëvendëskryetare e Sindikatës së Policisë së Kosovës, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se prej vitesh janë duke kërkuar që Policia e Kosovës të këtë sigurime shëndetësore. Ajo ka thënë se kanë kërkuar të kenë sigurime alternative deri në miratimin e Ligjit për sigurime shëndetësore në Kosovë, por që kjo çështje ka hasur në “vesh të shurdhër”.
“Ka qenë kërkesë e jona e kamotshme që Policia e Kosovës të ketë sigurime shëndetësore dhe jetësore, mirëpo ende kërkesa jonë nuk ka marrë përgjigje. Kemi bërë kërkesë në Qeveri për sigurime në kuadër të punës që po bëjmë, mirëpo deri më tani nuk kemi asnjë përgjigje. Kemi kërkuar sigurime alternative derisa të hyjë në fuqi Ligji për sigurime shëndetësore. Në takimet e fundit kishte shumë variabla që të bëhet sigurimi jetësor dhe aksidental, mirëpo jo edhe sigurimi shëndetësor.
Në Policinë e Kosovës janë 8 700 punonjës pa sigurime shëndetësore, kurse në uniformë janë 8 000 pjesëtarë”, ka bërë me dije Kamberi.
(Albulena S. MAVRAJ)