Kërkohet vëmendje institucionale për “Trepçën” (Video)
Gjendje e rëndë është krijuar në Kombinatin metalurgjik “Trepça”, ndërmarrje kjo që po shënon rënie të mëdha të prodhimit dhe nuk ka qëndrueshmëri financiar.
Megjithatë, edhe pse ligji për “Trepçën” është miratuar dy vjet më parë, ende mbetet nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit(AKP).
Gjithashtu, për Trepçën nuk po shpreh interesim asnjë investitor i huaj.
Kryesuesi i Bordit të Trepçës, Ardian Syla, ka thënë në një intervistë për “KosovaPress”, se për shkak të mos regjistrimit dhe mungesës së vullnetit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për miratimin e draft statutit për “Trepçën”, gjendja mbetet jostabile në këtë ndërmarrje. “Gjendja financiare e Trepçës, është aq sa shet i mbulon shpenzimet e pagave dhe shpenzimet operative. Nuk ka gjendje stabile financiare afatgjate. Ka rënie të prodhimit prej viti në vit, realisht në katër vitet e fundit, për shkak të arsyeve të cilat i thash edhe më herët, siç është fuqia punëtore, mungesa e investimeve kapitale, mungesa e teknologjisë. Për momentin jo s’ka interesim nga investitorë të huaj. Deri më tani nuk ka pasur kontaktet me ndonjë investitorë të huaj për shkak se edhe nuk është regjistruar ndërmarrja”, ka thënë Syla.
Sipas tij, regjistrimi i ndërmarrjes është i domosdoshëm për me çuar procesin deri në fund të transformimit të ndërmarrjes prej AKP-së në shoqëri aksionare.
Syla ka thënë se AKP ka ndaluar çdo aktivitet të likuidimit apo të privatizimit të ndonjë aseti të Trepçës. “Ende nuk është regjistruar ndërmarrja. Ndërmarrja është ende nën administrim të AKP-së. Ligji e parash transformimin e ndërmarrjes prej Ndërmarrjes Shoqërore në Shoqëri Aksionare. Parashihet gjithashtu edhe njësitë të cilat transformohen në shoqëri aksionare, si dhe parasheh mundësinë e krijimit të njësive tjera, të cilat i ka pasur në të kaluarën Trepça. Mirëpo, për shkak të mos miratimit të statutit të propozuar prej bordit mbikëqyrës nga Kuvendi i Kosovës, ende ndërmarrja Trepça nuk është regjistruar pranë Agjencionit për Biznese”, theksoi Syla.
Ai ka deklaruar, se menaxhmenti i aseteve të “Trepçës” në veri të Mitrovicës nuk i raporton këtij bordi, sepse sipas tij, kjo është çështje e ndjeshme. “Kjo është çështje më specifike, ligji për “Trepç”-ën parasheh 9 anëtarë të bordit mbikëqyrës, për momentin jemi vetëm 6. Ne jemi duke pritur nga Qeveria që të emëroj edhe 3 anëtarët e mbetur ashtu siç e parasheh ligji, që sigurisht se do të jetë prej pjesës veriore. Për momentin jemi duke pasur komunikime përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, edhe me pjesën e veriut. Edhe ata janë duke prodhuar, dhe janë duke bërë eksport të koncentrateve. Normalisht në suaza të ligjeve të Kosovës dhe me miratim të MZHE dhe bordit mbikëqyrës”, theskoi Syla.
Syla ka folur edhe për kërkesat e sindikatës së “Trepçës” për çështje sociale. Ai ka thënë se janë krijuar dy grupeve punese, njëri grup, i cili do të punojë në vlerësimin e aseteve të “Trepçës”, si dhe grupi tjetër, i cili do të punojë në çështjet sociale, të cilat i ka parashtruar sindikata.
Të dy grupet, sipas tij, kanë përfunduar punën e tyre dhe një raport është dorëzuar në Ministri të Zhvillimit Ekonomik. Kërkesat që kanë rrjedh si për çështje sociale, ashtu edhe për asete, Syla ka thënë të inkorporohen në draft statutin final, i cili do të shkoi në Kuvendin e Kosovës, sepse çështjet sociale rregullohen me ligj të veçant.