Kërkohet vullnet politik për reformën në shërbimin e jashtëm
Përfaqësuesit e partive politike dhe ata të shoqërisë civile e kanë vlerësuar si të domosdoshme ndryshimin e ligjit për shërbimin e jashtëm.
Në tryezën e diskutimit të Grupit për Studime Juridike dhe Politike, ata kanë deklaruar se duhet të ketë vullnet politik për reformën në shërbimin e jashtëm.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh, kryetar i komisionit parlamentar për punë të jashtme, Haki Abazi, tha se fillimisht është e nevojshme të ndërrohet mendësia e trajtimit të shërbimit të jashtëm dhe pastaj të fillohet reformimi i tij.
“Qëllimi ynë është që mos të ketë hapësirë të ndikimeve politike të qeverive, kur ato ndërrohet dhe ky numër të zvogëlohen në 30 për qind. Është i domosdoshëm të kemi njerëz që janë të lidhur drejtpërdrejtë me qeverinë që vjen pushtet, por jo gjithsesi të jetë 50-50, pasi atë formë ngushtohet hapësira për diplomatët e karrierës”, tha ai.
Para një reforme në shërbimin e jashtëm, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi tha se duhet të ketë një reformë të brendshme në MPJD.
Ajo kritikoi edhe ministren Gërvalla për mos transparencë, derisa tha se Kosova është në pauzë sa i përket politikës së jashtme.
“Reformimi i jashtëm duhet të ndodh me reformim të brendshëm. S’ka mundësi të ndodhë reformimi i jashtëm, kur t’i ke zyrtarë që janë kthyer. Mirë shumë që janë ardh, mirë shumë që është bërë rotacioni, pasi ka qenë edhe vendim që e ka marrë ish kryeministri Haradinaj, nuk është vendim i kësaj qeverie, por paraprake. Këta zyrtarë që kanë ardhur bredhin në zyre, nuk kanë përshkrim të punës, i ke drejtorët që janë ushtrues detyre, nuk janë drejtor të plotë”, ka deklaruar Musliu-Shoshi.
Ndërsa, ish ambasadori dhe drejtori i KIPRED, Lulzim Peci, tha se planifikimi i duhur është primar për funksionim të mirëfilltë të shërbimit të jashtëm, pasi pavarësisht ndryshimeve ligjore nëse nuk ka planifikim i njëjti do të dështojë.
“Ne mund ta bëjmë ligjin më të mirë, por nëse nuk kemi planifikim të mirëfilltë brenda punës së MPJD-së nuk do të funksionojë. Planifikimi është abc-ja të jeni të bindur. Çka nënkuptoj unë me planifikim, pikë së pari ristrukturimin e ministrisë përbrenda, drejtorati politik, të fillojë prej aty, pasi ambasadat janë satelitët e drejtorit”, tha Peci.
Derisa, Naser Shamolli nga GLPS tha se primare për shërbimin e jashtëm është meritokracia.
“Shërbimi i jashtëm të evidentohet më shumë nga meritokracia, kuota prej 50 për qind e të emëruarve që aktualisht është, të zvogëlohet në 30 për qind. Të përcaktohet procedura dhe afatet të ambasadorëve dhe shefave të misioneve. Të përvetësohen mekanizmat të pranimit në shërbimin e jashtëm duke zbatuar rregullat dhe kusht shtesë të jetë ligji i veçantë. Sistemi i gradimit të vendoset sipas gradës personale, por duke garantuar një procedurë konkurruese dhe transparente”, ka deklaruar ai.
Plotësim-ndryshimi i ligjit për shërbimin e jashtëm është në agjendën legjislative të Qeverisë së Kosovës, mirëpo ende nuk është votuar në Qeveri, rrjedhimisht edhe në Kuvend./KS/