Kërkohet zbatimi i strategjisë kundër krimit të organizuar
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme është mbajtur takimi i radhës i Grupit ndërinstitucional për implementimin e Strategjisë dhe planit të veprimit kundër krimit të organizuar.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, njëherësh koordinator kombëtar kundër krimit të organizuar, Selami Shkodra, ka kërkuar nga të gjithë akterët e përfshirë që të vazhdojnë me implementimin e objektivave në kuadër të aktiviteteve të strategjisë kundër krimit të organizuar.
“Përtej objektivave të kësaj strategjie duhet që të gjithë së bashku të vihemi në lëvizje që të mos mbetemi peng i krimi të organizuar dhe korrupsionit, të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në moszhvillimin e shoqërisë. Duhet të bashkohemi të gjitha mekanizmat shtetëror për të arritur objektivat tona shtetërore”, ka thënë zëvendësministri Shkodra.
Të gjithë anëtarët e grupit raportuan për periudhën e kaluar, ku u vlerësua se janë realizuar shumica e objektivave. Gjithashtu u bë me dije se ka pasur një numër të madh të arrestuarve, ngritje të kallëzimeve penale dhe dënime të personave të përshirë në krim të organizuar. Po ashtu, janë mbajtur edhe shumë trajnime në ngritje të kapaciteteve të institucioneve të zbatimit të ligjit.
/Epoka e re/