Kërkohet zyrtarisht shkarkimi i presidentit Meta (Dokument)

17 qershor 2019 | 11:48

Mazhoranca ka dorëzuar sot kërkesën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Kërkesa është firmosur nga 55 deputetë, ku mes tyre mësohet se ka edhe deputetë të opozitës së re.

Kryetari i grupit parlamentar i Partisë Socialiste (PS), Taulant Balla, në një konferencë për medie ka konfirmuar zyrtarisht kërkesën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, e cila sipas tij është dorëzuar sot në Kuvend.

Sipas Ballës, anulimi i datës 30 qershor dhe mos caktimi i një date tjetër për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, i mohon të drejtën sovranit për të qenë i tillë dhe ky është një hap që zhbën autoritetin sovran.
Balla ka thënë presidenti i Republikës, në ushtrim të kompetencave të dhëna nga Kushtetuta ka nxjerrë dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve të qeverisjes vendore, që është 30 qershori.

“Në përmbushje të realizimit të zgjedhjeve janë ngritur KZAZ, përgatitur dhe shpallur listat e zgjedhësve, është kryer regjistrimi i partive, janë depozituar listat e ka filluar fushata. Ndërkohë që ka filluar procedura zgjedhore presidenti ka nxjerrë dekretin për shfuqizimin e zgjedhjeve më 30 qershor 2019. Arsyet e dhëna nga Presidenti kanë të bëjnë me shqetësimin e thellë për situatën politike, se kushtet aktuale s’do siguronin zgjedhje të vërteta gjithëpërfshirëse, bindjen se kjo është mënyra që ndihmon në zgjidhjen e krizës dhe se mbështetet në Kushtetutë”.

“Kjo bie në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese. Së pari është cenuar rëndë parimi i ushtrimit të sovranitetit nga populli. Sovraniteti i takon popullit e ushtron në mënyrë të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet të zgjedhurve të tij. Në këtë kuptim i ka hequr sovranit të jetë i tillë. Anulimi i datës 30 qershor dhe mos caktimi i një date tjetër mohon të drejtën e sovranit për të qenë i tillë. Kjo është një hap që zhbën autoritetin sovran. Nëpërmjet këtij akti të presidentit është shënuar dalja përtej kompetencave. Sovrani ka përcaktuar se kur do të mbahen zgjedhjet”, është shprehur Balla. /Top Channel/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhjetë (10) persona janë lënduar në një fluturim të linjës…