
Kërkoi lirimin, Gjykata e Lartë lë në burg Ilir Metën
Gjykata e Lartë ka lënë në burg ish-Presidentin Ilir Meta. Në vendimin e marrë këtë të enjte në Dhomë Këshillimi nga gjyqtari Ilir Panda është vendosur rrëzimi i rekursit të ish-presidentit për zbutjen e masës së sigurisë.
Në njoftimin e bërë publik, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë bën me dije se u vendos lënia në fuqi e vendimit të Apelit të GJKKO.
Kujtojmë se ish-presidenti Meta është nën hetim nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në lidhje me dosjet “CEZ-DIA”, lobimin e ish-LSI në SHBA dhe shpenzimet e familjes së tij.
Pas vendimeve të dy gjykatave të posaçme, ai vijon të mbahet prej katër muajsh në qelitë e burgut të sigurisë së lartë “313” në Tiranë.
Ndërkohë, edhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, e cila ndodhet nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ka depozituar rekurs, duke e cilësuar masën si të paligjshme./EuronewsAlbania