Kërkoi ndryshim të masës, shtyhet seanca për Sali Berishën
Gjykata ka shtyrë seancën ndaj Sali Berishës, i cili ka kërkuar revokim të masës arrest shtëpie.
Gjyqtarja Irena Gjoka ka konstatuar se në fletëthirrje nuk është vendosur që ish-kryeministri të përfaqësohet në mungesë nga avokatët. Sipas saj, shtetasi në hetim kishte refuzuar të firmoste fletëthirrjen.
“Dijenia e tij marrë dje ose pardje është shoqëruar me prokurë që ne ta përfaqësojmë në mungesë. Gjykata nuk e pranoi këtë arsyetim. Ne e prisnim sepse ne kemi kohë që merremi me këtë gjyq që zhvillohet jashtëgjyqësisht. Sepse gjyqi nuk po zhvillohet në atë sallë gjyqi. Gjykata në atë qëllimin e saj për t’i djegur mandatin liderit të opozitës, e shtyu sërish seancën pa asnjë shkak ligjor”, ka thënë avokati i Berishës, Genc Gjokutaj.
Gjyqtarja Irena Gjoka, ka vendosur që seanca e radhës të zhvillohet më 8 mars.
Të martën Gjykata e Lartë do të marrë në shqyrtim rekursin e ish-kryeministrit Sali Berisha për rrëzimin e masave të para të lëshuar ndaj tij, atë të detyrimit për t’u paraqitur dhe ndalim dalje jashtë shtetit.
Po në të njëjtën ditë kjo gjykatë do të shqyrtojë rekurset e bëra nga SPAK-u që kërkon kthimin në qeli të Jamarbër Malltezit dhe të këtij të fundit që kërkon lirimin edhe nga arresti në shtëpi.
Berisha prej 30 dhjetorit është duke qëndruar në “Arrest shtëpie”, pasi gjykata ka zëvendësuar masat e para të sigurisë ndaj tij, shkruan “Tv Klan”.