Kërkoi nga Qeveria e Kuvendi të kontrollohen mediet, AGK-ja dhe KMShK-ja të shqetësuar me fjalimin e Pacollit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës (KMShK) kanë reaguar pas deklaratës së deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, e cila në seancën e sotme ka bërë thirrje për rregullim qeveritar të medieve, sidomos medieve online
“Thirrja e hapur e deputetes Pacolli për ndërhyrje direkte të Qeverisë për kontroll ndaj medieve është e papranueshme për AGK-në dhe KMShK-në dhe paraqet rrezik për lirinë e medies në vend. Mediet, shumica e të cilave janë të regjistruara si biznese në ARBK, kurse një pjesë tjetër si OJQ, rregullojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet ligjeve përkatëse në Kosovë dhe rregulloreve të Komisionit të Pavarur të Medieve dhe Këshillit të Medieve të Shkruara”.
“Çdo tentim i Qeverisë për të ushtruar kontroll mbi mediet është tentativë e papranueshme për të ndërhyrë në punën e tyre. Ky është kërcënim serioz i pushtetit aktual kundër medieve”, është thënë në reagimin e AGK-së dhe KMShK-ja.