Kërkoi vrasjen e Putinit, rusja dënohet me 8 vjet burgim
Një gjykatë ushtarake në Moskë ka dënuar një grua ruse 43-vjeçare me tetë vjet burgim për publikimin e komenteve anti-luftë online, përfshirë disa që thërrisnin për vrasjen e presidentit rus, Vladimir Putin, raporton agjencia ruse e lajmeve.
Anastasia Berezhinskaya, një regjisore teatri dhe nënë e dy fëmijëve të vegjël, u shpall fajtore për shkeljen e dy ligjeve të censurës në kohë lufte – diskreditimin e ushtrisë ruse dhe përhapjen e informacionit të rremë në lidhje me të, si dhe justifikimin e terrorizmit.
Sipas projektit të të drejtave të njeriut OVD-Info, më shumë se 1,000 persona janë ndjekur penalisht në Rusi për shprehjen e kundërshtisë ndaj luftës në Ukrainë, ndërsa mbi 20,000 të tjerë janë arrestuar për protestat e tyre.
Në muajin maj të vitit 2022, pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, Berezhinskaya ka publikuar dhjetëra postime në rrjetet sociale kundër këtij konflikti, duke e akuzuar ushtrinë ruse, Ministrinë e Brendshme dhe vetë Putinin për kryerjen e një “gjenocidi” kundër popullit ukrainas.
Ajo shkroi në një postim të datës 14 maj 2022: “Vriteni këtë idiot Putinin, sa shumë vrasje të civilëve duhet të durojmë?”, duke kërkuar që presidenti rus të “fshihet nga faqja e dheut”.
Pavarësisht mohimit të qeverisë ruse për sulmet ndaj civilëve gjatë “operacionit të saj ushtarak special”, mijëra civilë ukrainas janë viktima të bombardimeve ruse.
Berezhinskaya ka pranuar pjesërisht fajin për shpërndarjen e “dezinformatave” dhe diskreditimin e ushtrisë, por ka mohuar akuzat për justifikimin e terrorizmit.
“Nuk kam çfarë të shtoj, do të pranoj çdo vendim që do të merrni”, tha ajo, në fjalën përfundimtare para gjykatës, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.