Kërkoj të zgjatet afati i regjistrimit të popullsisë
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë me dije se në takimin e kryetarëve të komunave me kryeministrin Kurti, më 5.4.2024, ka paralajmëruar vështirësitë që e kanë përcjell përgatitjen e regjistrimit të popullsisë dhe fillimin e këtij procesi shumë të rëndësishëm për pushtetin lokal dhe qendror, dhe ka kërkuar zgjatjen e afatit.
“Para kësaj, po ashtu, më 2 nëntor, kam ngritur shqetësimin lidhur me vonesat rreth procesit të rekrutimit, paraqitjes së vështirësive me aplikantët për regjistrues, për kohën e trajnimit dhe informimit”.
“Nga rrjedha e deritashme e këtij procesi në komunën e Drenasit, me qëllim të përmbushjes së qëllimit të vet procesit, rëndësisë së tij, nga situata e deritashme e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, në komunën e Drenasit, kërkoj të zgjatet procesi i regjistrimit edhe për dy javë. Këtë kërkesë me shkrim ia kam bërë kryeministrit Kurti dhe drejtorit të ASK-së, Avni Kastratit”, ka shkruar Lladrovci në “Facebook”.
Ai ka ftuar qytetarët e komunës së Drenasit të regjistrohen, pasi është obligim ligjor e moral. “Kështu e vlerësoni edhe vendbanimin – komunën Tuaj, edhe Kosovën!”, ka shkruar Lladrovci.