Kërkojmë liberalizim sa më të shpejtë të vizave për Kosovën

11 qershor 2019 | 14:32

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se Republika e Kosovës kërkon liberalizim sa më të shpejtë të vizave për qytetarët e saj.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës është duke punuar maksimalisht që sa më shpejt çështja e liberalizmit të vizave të hyjë në agjendë të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Ministrja Hoxha ka thënë se derisa të sigurohet shumica e votave në Këshill të BE-së nuk do të hyjë kjo çështje në rend të ditës.

Ajo ka vlerësuar se konstituimi i institucioneve të BE-së pas zgjedhjeve kërkon pak kohë.

“Nuk pres të hyjë në rend dite pa u siguruar shumica e votimit nga Këshilli i Ministrave të po atij rendi të ditës. Pra, pres që çështja të trajtohet por, fatkeqësisht, jo me dinamikën dhe nevojat tona. Qeveria dhe bartësit e përgjegjësive institucionale, të gjithë lobojmë vazhdimisht dhe rrahim në një pikë, se ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret, andaj presim dhe kërkojmë vlerësim dhe liberalizim sa më të shpejtë të vizave për qytetarët tanë”, ka thënë Hoxhaj.

Ajo ka deklaruar se Gjermania e përkrah liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Nuk kemi dilema rreth përkrahjes së Gjermanisë, por konstituimi dhe lëvizjet pas zgjedhjeve dhe përbërjes së re të Parlamentit Evropian, kërkojnë përmbushje të procedurave që kërkojnë kohë me ndikim në proces”, është shprehur ajo.

Ministrja e Integrimit Evropian ka folur edhe për raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën. Sipas Hoxhës, raporti evidenton arritje dhe sfidat që ka Kosova në rrugën e saj euroatlantike.

“Raporti për vendin është proces tjetër, sepse flet për përafrimin tonë në rrugën integruese. Kemi arritje, por kemi sfida që duan të zgjidhen menjëherë. Ne kemi alarmuar shumë institucione për nivelin e ulët të përkushtimit dhe pikërisht ato edhe evidentohen. Punët tona ne duhet t’i kryejmë vetë. Ne kemi kapacitete që vetë t’i kryejmë punët tona në procesin integrues”, ka thënë Hoxha. Ajo është shprehur e bindur se raporti i ardhshëm i Komisionit Evropian për Kosovën do të jetë shumë më pozitiv.

“Epoka e re”: Znj. Ministre, së bashku me kryeministrin Haradinaj sapo jeni kthyer nga vizita në Gjermani. Cila është mbështetja që morët nga ky vend për rrugën euroatlantike të Kosovës?
Hoxha: Gjermania është vend mik, vend i fuqishëm donator për Kosovën dhe rajonin tonë. Vend mikpritës i mbi 400 mijë qytetarëve tanë dhe askush më mirë se ky vend mik nuk e njeh dëshirën dhe rrugën tonë të vendosur brenda vlerave euroatlantike. Rruga jonë euroatlantike është pa alternativë. Këtë e kemi konfirmuar dhe dëshmuar që nga çlirimi i vendit, madje që nga viti 1968, 1981 e këndej. Gjermania e rikonformon përkrahjen për zgjerimin e BE-së në gjashtë vendet e BE-së dhe ne jemi brenda çdo projekti pozitiv për rajonin.

“Epoka e re”: Po për procesin e liberalizimit të vizave, çfarë është qëndrimi i Gjermanisë?
Hoxha: Përkrahja e Gjermanisë është e dëshmuar dhe objektive. Gjithsesi, qëndrimi i këtij vendi mik është i lidhur me frymën në Bashkimin Evropian, rrethanave jashtë ndikimit vendimtar gjerman. Nuk kemi dilema rreth përkrahjes së Gjermanisë, por konstituimi dhe lëvizjet pas zgjedhjeve dhe përbërjes së re të Parlamentit Evropian, kërkojnë përmbushje të procedurave që kërkojnë kohë me ndikim në proces.

“Epoka e re”: Kur pritni që çështja e liberalizmit të vizave për Kosovës të hyjë në agjendë të Këshillit të BE-së dhe çka po bën qeveria për të arritur këtë synim?
Hoxha: Nuk pres të hyjë në rend dite pa u siguruar shumica e votimit nga Këshilli i Ministrave të po atij rendi të ditës. Pra, pres që çështja të trajtohet por, fatkeqësisht, jo me dinamikën dhe nevojat tona. Qeveria dhe bartësit e përgjegjësive institucionale, të gjithë lobojmë vazhdimisht dhe rrahim në një pikë, se ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret, andaj presim dhe kërkojmë vlerësim dhe liberalizim sa më të shpejtë të vizave për qytetarët tanë.

“Epoka e re”: Komisioni Evropian ka publikuar raportin e fundit për Kosovën në të cilin janë evidentuar punët që janë bërë dhe sfidat me të cilat përballet Kosova. Sa jeni të kënaqur me këtë raport?
Hoxha: Raporti për vendin është proces tjetër, sepse flet për përafrimin tonë në rrugën integruese. Kemi arritje, por kemi sfida që duan të zgjidhen menjëherë. Ne kemi alarmuar shumë institucione për nivelin e ulët të përkushtimit dhe pikërisht ato edhe evidentohen. Punët tona ne duhet t’i kryejmë vetë. Ne kemi kapacitete që vetë t’i kryejmë punët tona në procesin integrues.

“Epoka e re”: Pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian është mbajtur edhe mbledhja e Këshillit Ndërministror për Integrime Evropiane. Cilat janë hapat që do t’i ndërmarrë Qeveria e Kosovës për t’i adresuar sfidat e këtij raporti?
Hoxha: Hapat e parë janë dinamizimi i procesit, analiza e veprimeve afatshkurta, mënjanimi i çdo pengese për zbatimin e rekomandimeve. Ne nuk mund të mbesim peng të neglizhencës apo mospërkushtimit konform situatës dhe rekomandimeve të realizueshme nga Komisioni Evropian. Pritjet tona janë optimiste, sepse puna jonë do të jetë e pandalshme. Raporti tjetër duhet të jetë shumë më i mirë.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në ceremoninë…