Kërkova njohjen e pesë shteteve anëtare të BE-së që s’e kanë njohur Kosovën
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, para pak çastesh ka mbajtur një konferencë për media, para të cilave ka folur për takimin e Samitit të Zagrebit të mbajtur dje.
Ai ka njoftuar se në samit kanë folur për gjendjen në shtete të shkaktuara nga pandemia. “Prezantova gjendjen tonë që, falë institucioneve tona të shëndetit publik dhe mjekëve tanë, kemi numër të vogël viktimash. Fokusi mbetet në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve. Ishte i mirëseardhur Samiti i Zagrebit, kur pritnim hapa konkretë sa i përket Kosovës dhe vendeve të tjera në rajon. Kosova meriton trajtim më të shpejtë nga BE-ja”, ka thënë Thaçi dhe ka shtuar se vonesa për liberalizim të vizave zbeh autoritetin e besimit të Kosovës në Bruksel. “Prandaj kam bërë thirrje në deklarimin tim, se shtetet anëtare duhet të lëvizin sa më shpejt. Ne e kuptojmë vonesën për liberalizim si një ndëshkim të mosunitetit të shteteve anëtare të BE-së”, ka shtuar Thaçi, i cili ka thënë se ka kërkuar njohjen e pesë shteteve anëtare të BE-së të cilat ende s’e kanë njohur Kosovën.
Po sipas Thaçit, BE-ja mund të marrë rolin që e dëshiron në dialog vetëm nëse përfaqësohet nga nivelet e larta. “Çështja tjetër ka të bëjë me dëshirën e BE-së që të ketë rol në dialog. Kjo është e mundshme derisa BE-ja përfshihet në nivelin më të lartë, me koordinim të brendshëm dhe me ShBA-në. BE-ja nuk mund të mbajë qëndrime neutrale ndaj Kosovës, por duhet ta sheh atë si shtet të pavarur. Bashkimi Evropian nuk mund të sillet neutral ndaj Kosovës, sepse Kosova është de facto dhe de jure vend sovran”, ka thënë Thaçi.
(B. D.: ‘Epoka e re’)