Kërkuan heqjen e bimëve nga fasada e fqinjës, por nuk prisnin reagimin që morën (fotot)
Disa fqinjë që ishin ankuar për bimët jashtë shtëpisë së një gruaje pranë tyre, thonë tashmë se nuk i kishin pritur rezultatet që morën nga reagimi i komunitetit.
Alexandra Wilson-Jones ishte paralajmëruar të hiqte vazot e saj shumëngjyrëshe të luleve para shtëpisë në Dorset në jug të Britanisë, pas ankesave të disa fqinjëve të saj, sipas bashkisë së qytetit.
Por tani fqinjët ankohen se rrugica duket shumë e shkretë dhe nuk prisnin të kishin një pamje të tillë.
Zyrtarët e bashkisë së Cornwall më parë thanë se ankesa ishte e drejtë pasi bimët ishin vendosur në një hapësirë të përbashkët pa aprovimin e duhur dhe se kishin marrë ankesa nga banorët.
Alexandra më parë kishte thënë: “Bashkia më tha se duhet të modifikoja tërësisht bimët që mbaja para shtëpisë dhe nëse nuk e bëja para janarit ato do të hiqeshin të gjitha”.
Por ish-fqinjët e saj në Cornwall shprehen të zemëruar me zyrtarët duke thënë se ata tejkaluan kompetencat e tyre dhe nuk morën në konsideratë opinionin e shumicës.
Një prej fqinjëve të saj tha për rrjetin The Sun: “Me sa shikoj unë ajo nuk ka bërë asgjë të gabuar. Lulet e saj ishin një kënaqësi t’i shikoje dhe e shkëlqenin vërtet vendin”.
“Në rrugën tonë nuk kemi kopshte para shtëpive, siç ka zakonisht në rrugët rezidenciale britanike kështu që bimët e lulet e saj tërhiqnin vëmendjen nga shtëpitë e gurta”.
Një tjetër fqinj shtonte sipas mediave: “Njerëzit që vinin nga zona të tjera të lagjes frymëzoheshin nga ajo që Alexandra bënte me bimët e saj në vazo”.
“Vjet lulet e saj ishin të mrekullueshme, nuk mund ta besoj se dikush mund të ankohet për një shfaqje të tillë bimësh”.
Alexandra është larguar nga zona në fillim të vitit dhe rrjedhimisht ka marrë me vete lulet e saj në shtëpinë e re.
Një zëdhënës i bashkisë së Cornwall nuk pranonte të komentonte për çështjen, sipas rrjetit The Sun.