Kërquki rrëfen se si ndodhi sulmi ndaj Valon Sylës: E kanë goditur me orë, komplet këmishën e ka pasur me gjak
Gazetari Leonard Kërquki ka rrëfyer në T7 se si kishte rrjedhur gjithçka deri në sulmin fizik ndaj gazetarit dhe analistit të emisionit Pressing, Valon Syla.
Ai ka treguar se pasi kishin përfunduar debatin e të martës, e kishin lënë që të shkojnë në një lokal në Bregun e Diellit. Siç ka treguar Kërquki, Syla bashkë me gazetarin Ilir Mirena ishin nisur pak më herët për në vendin ku e kishin lënë të takohen.
Ai shton se në momentin që kishte arritur edhe vetë aty, e kishte hasur një makinë teksa lëvizte mbrapa. Kërquku ka thënë se ajo makinë pasi ia kishte lëshuar rrugën ishte larguar me shpejtësi. Kjo makinë, Kërquki ka thënë se kishte qenë e sulmuesve.
“Kemi përfunduar debatin. Shumicën e rasteve, pas debateve takohemi me kolegë gazetar, të debateve të tjera. Kësaj radhe e lam të takohemi në Breg të Diellit. Valoni me Ilirin, me veturën e Ilirit kanë vazhduar për atje. Unë me veturën time jam nisur pas pak. Atje kur kam shkuar e kam parë një veturë që është duke ecur mbrapa, që kishte qenë vetura e këtyre sulmuesve. Unë ua kam lëshuar rrugën, sepse mos me ua pas lëshu rrugën, skishin pas kah me dalë. Ata ikën me shpejtësi”, ka rrëfyer Kërquki
Në momentin që kishte arritur tek lokali ku e kishin lënë takimin, Kërquki thotë se e kishte telefonuar Ilir Mirenën për t’i thënë se aty kishte një tollovi, derisa shton se Mirena i kishte treguar se tollovia ishte për shkak të sulmit fizik ndaj Valon Sylës.
“U afrova tek lokali dhe e pash tollovi. E telefonova Ilirin duke menduar që ende s’ka arritur, për t’i thënë se paska diçka, e po ndërrojmë agjendë.Por Iliri më ka tregu që janë aty dhe që e kanë sulmuar Valonin.Komplet këmishën e ka pasur me gjak. Ka qenë një pamje trishtuese, shokuese me e pa në atë gjendje Valonin”, ka shtuar tutje.
Kërquki ka zbuluar se Syla është goditur në kokë me një orë, e cila edhe ka mbetur në vendin e ngjarjes dhe është në duart e policisë.
“Kanë qenë tre persona. As Iliri s’ka qenë afër kur e kanë sulmu. Iliri e ka parkuar veturën, dhe pasi e ka marrë jaknen e ka parë që tre persona e kanë sulmuar Valonin.
E kanë goditur me orë, ia kanë carë kokën. Ora është në Polici. E ka edhe dorën e majtë të lënduar. Kjo është pak a shumë ajo çfarë ka ndodhur”, ka rrëfyer Kërquki.