Kerr para në Olimpiadës: përzgjedhja e pesëshes bazë, problem i madh
Trajneri i Golden State Warriores, Steve Kerr, që në Olimpiadën parisiene do të drejtojë kombëtaren amerikane të basketbollit, e njohur si “dream team”, është gati për sfidën, raporton “Telesport”.
Nga kjo javë ai do të duhet të kuptojë se si të menaxhojë një ekip fenomenesh, si të bëjë bashkë 12 kampionë, me të cilët do të luajë për medaljen e artë. Kombëtarja është vendosur këtë fundjavë në Las Vegas, ku ka nisur nga punë për këtë qëllim, në një Olimpiadë ku ka shumë pretendentë. Gjatë ditëve stërvitore në Las Vegas, përpara se të nisë një seri miqësoresh që do të çojnë në turneun olimpik, Kerr do të ketë një detyrë të parë: Të kuptojë formacionin bazë. Më e lehtë të thuhet se sa të bëhet, sigurisht në një ekip plot yje. “Stafi im dhe unë kemi folur për mënyrën se si të zgjedhim pesëshen bazë. Është një problem i madh, ne kemi 12 lojtarë, të cilët do
të jenë të gjithë në ‘Hall of Fame’ herët a vonë. Do të jetë puna jonë më e rëndësishme në Las Vegas, përtej misionit për të fituar medaljen e artë, pavarësisht se kush luan dhe për sa kohë”, ka thënë Kerr. Të grumbulluar janë LeBron James, Steph Curry, Kevin Durant, Joel Embiid, Jayson Tatum, Kawhi Leonard, Jrue Holiday, Devin Booker, Anthony Edwards, Tyrese Haliburton, Bam Adebayo dhe Anthony Davis, të gjithë të gatshëm fizikisht. Trajneri Kerr ka një plan pune për këtë grup entuziast si për përvojën olimpike ashtu edhe për të luajtur së bashku. “Këtu, lojtarët duhet të jenë pjesë e një grupi. Sezoni i NBA është një maratonë, një turne i FIBA-s është një sprint, ndaj duhet të gjejmë ekuilibrin midis mbingarkesës së lojtarëve dhe dhënies së tyre të gjitha bazat që u nevojiten për t’u përshtatur me lojën e FIBA-s”, ka shtuar Kerr.
“Detyra jonë si staf do të jetë të gjejmë një sistem loje që i ndihmon ata të fitojnë, por në të njëjtën kohë nuk është shumë kompleks sepse kemi pak kohë dhe nuk mund ta teprojmë. Nëse gjejmë një mënyrë për t’i bërë ata të bëhen një grup, nëse mund t’u japim bazën për të filluar mbrojtjen, mendoj se do të jemi gati për sfidën”, ka thënë trajneri i kombëtares amerikane. “Në Tokio fituam medaljen e artë duke humbur 3 ndeshje gjatë verës dhe finalja me Francën u vendos në minutën e fundit. Ky grup lojtarësh, për sa i përket arritjeve, është ndoshta versioni më i mirë i kombëtares amerikane i mbledhur ndonjëherë që nga viti 1992. Atëherë, pjesa tjetër e botës nuk ishte aspak afër nivelit aktual, si për nga popullariteti i basketbollit ashtu edhe nga niveli i ekipeve. Kundërshtarët tanë janë padyshim më konkurrues dhe asgjë nuk është e garantuar”, ka përfunduar Kerr.