
KESCO: Kompanitë që kanë mbi 50 punëtorë ose mbi 10 milionë euro qarkullim, nga 1 qershori s’mund të furnizohen me tarifa të rregulluara
KESCO ka bërë me dije përmes një njoftimi se konsumatorët që kanë mbi 50 punëtorë ose që kanë mbi 10 milionë euro qarkullim do të dalin në treg të hapur, që nënkupton se do ta kenë të obligueshme ta zgjedhin vet furnizuesin, shkruan Gazeta Express.
Në njoftim shtohet edhe se kjo të hyjë në fuqi nga data 1 qershor e këtij viti, ndërsa nga data 6 mars, KESCO do t’ua dërgojë konsumatorëve komercialë një shkresë, ku ata duhet të dëshmojnë plotësimin e kushteve për të vazhduar të jenë pjesë e konsumatorëve me tarifa të rregulluara.
Konsumatorët që kanë mbi 50 punëtorë ose mbi 10 milionë euro qarkullim do të dalin të treg të hapur
KESCO si Furnizues i Shërbimit Universal njofton se që nga data 1 qershor 2025, me kërkesë të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), të gjithë konsumatorët komercialë që kanë qarkullim vjetor më të madh se 10 milionë euro, ose më tepër se 50 punëtorë do të dalin në treg të hapur, pra do ta kenë të obligueshme ta zgjedhin vet furnizuesin.
Lidhur me këtë proces, KESCO duke filluar nga data 6 mars 2025 do t’ua dërgojë konsumatorëve komercialë një shkresë, ku ata duhet të dëshmojnë plotësimin e kushteve për të vazhduar të jenë pjesë e konsumatorëve me tarifa të rregulluara, ose jo, pra jo më shumë se 50 punëtorë ose jo më shumë së 10 milionë euro qarkullim.
Referuar në obligimet ligjore, çdo konsumator jo familjar që tejkalon njërin nga këto dy kritere nuk mund të vazhdojë të furnizohet nga KESCO me çmime të rregulluara. Andaj KESCO do të kërkojë nga ta që brenda 15 ditëve ta dëshmojnë se i plotësojnë kushtet e përcaktuara për furnizim me energji elektrike me tarifa të rregulluara përmes Furnizuesit të Shërbimit Universal. Të dhënat e ofruara duhen të jenë të dëshmuara përmes dokumentacioneve të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës, siç është Administrata Tatimore të Kosovës (ATK), të cilat duhet të dërgohen në email adresën e dedikuar [email protected] apo të sillen në njërën nga qendrat e shërbimit me konsumatorë ne KESCO, pra nevojitet të na sigurohet dokumenti ku paraqitet qarkullimi vjetor dhe numri i punonjësve së bashku me shifrat e konsumatorëve të energjisë elektrike nën menaxhimin e biznesit përkatës.
Bazë do të llogaritet kompania amë, ndërsa njësitë, degët apo filialet do të llogariten si pjesë e tërësisë, pra nuk mund të konsiderohen si konsumatorë të pavarur. Pra, nëse kompania amë nuk i plotëson kushtet të jetë konsumator me tarifa të rregulluara, atëherë në treg të hapur do të dalin të gjitha njësitë, degët apo filialet e saj.
Nëse dokumentet e kërkuara nuk paraqiten në periudhën 15 ditore, atëherë nënkuptohet se konsumatorët nuk i plotësojnë kriteret e përcaktuara me legjislacion për të gëzuar të drejtën e furnizimit me shërbim universal, rrjedhimisht kalon në furnizim të energjisë elektrike me çmime të parregulluara, pra në treg të hapur, ku e ka obligative ta zgjedh vet furnizuesin.
Ky është hapi i dytë i liberalizimit të tregut, që vije pas liberalizimit të konsumatorëve të kyçur në nivelin 110 kV. Nëpër këtë proces kanë kaluar deri tash shumica e vendeve të rajonit.