KESCO: Rikyçjet e konsumatorëve në rrjet të energjisë elektrike do të bëhen me automatizëm

27 nëntor 2024 | 16:52

KESCO njofton se ka filluar të zbatojë sistemin e ri të rikyçjes automatike për konsumatorët që kanë pasur ndërprerje të furnizimit me energji elektrike dhe kanë realizuar pagesat e tyre.

Ky sistem eliminon nevojën për paraqitjen e kërkesave manuale për rikyçje pas realizimit të pagesës.

Në kumtesën për media bëhet e ditur se pas një periudhe testimi të suksesshme, KESCO ka vendosur të zbatojë këtë procedurë automatike për të përmirësuar efikasitetin dhe për të ofruar një shërbim më të shpejtë dhe më të thjeshtë për konsumatorët. Kjo do të mundësojë që pas çdo pagese të plotë nga konsumatori i cili është shkyçur nga rrjeti elektrik për mos-pagesë, kërkesa për rikyçje do të procedohet automatikisht, pa pasur nevojë të paraqesë kërkesë tek Kujdesi për Konsumatorë.

“Ky zhvillim pritet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe pozitiv, duke shkurtuar kohën e pritjes për trajtimin manual të kërkesave përmes ofrimit të shërbimeve të modernizuara dhe të thjeshta. Por, pavarësisht nga automatizimi i procesit, është e rëndësishme të theksohet se rikyçja ka një periudhë ligjore që të realizohet brenda 24 orësh pas përditësimit të statusit të pagesës. Inkurajojmë konsumatorët të respektojnë afatin e pagesave për të shmangur ndërprerjet e furnizimit me energji elektrike”, thuhet një njoftim të KESCO-s.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi i Gjermanisë dhe Bayer Leverkusen, Jonathan Tah, ka zgjedhur…