KESCO tregon si do të llogariten faturat e rrymës për këtë muaj

16 qershor 2022 | 16:58

Pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila ka ndryshuar aktvendimet e Apelit dhe Themelores, KESCO ka njoftuar se faturat e rrymës do të llogariten me tarifat e shtrenjta.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë KESCO, përmes një njoftimi drejtuar mediave.

“KESCO njofton konsumatorët që bazuar në vendimin e sotshëm të Gjykatës Supreme, për anulimin e vendimit për pezullimin e tarifave që kanë hyrë në fuqi me  datën 08 shkurt 2022, KESCO në leximin e këtij muaji që do të filloj për pak ditë do aplikoj tarifat që janë në fuqi, respektivisht do të njehsoje faturat e konsumatorëve me tarifat aktuale që janë në fuqi nga data 08 shkurt 2022”, ka njoftuar KESCO.

Ndryshe, Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka aprovuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor dhe ka marrë vendim që të ndryshojë vendimet e Gjykatës së Apelit dhe atë të Gjykatës Themelore, duke e konsideruar kërkesën e PDK-së për shtyrje të vendimit të ekzekutimit të vendimit për tarifat e reja të energjisë si të pa bazuar.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës A, Christos Marmarinos, në konsultim…