KESH-i hapi tenderin për import të energjisë
Kompanitë e interesuara kanë afat deri më 29 gusht për të paraqitur ofertat e tyre.
Referuar kërkesë së ofertës zyrtare, KESH-i do të blejë 129 mijë megavat energji për gjithë muajin shtator, duke lehtësuar disi operatorin e shpërndarjes së energjisë, i cili duhet të sigurojë vetëm një pjesë të importit për muajin shtator, në mënyrë që të garantohet tërësisht konsumi në vend, raporton “ATSH”.
Edhe për muajin shtator sasia e blerjes së energjisë elektrike do të jetë e lartë, pothuajse e njëjtë me atë të muajit gusht.
Ndërkohë për dy muajt e verës, korrikun dhe gushtin, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka paguar 53.6 milionë euro në total për blerjen e energjisë elektrike. Si pasojë e rritjes së konsumit të energjisë nga temperaturat e larta OSHEE-ja u detyrua të hapte një tender të dytë për muajin gusht me vlerë 1.6 milionë euro për të siguruar energjinë e plotë deri në fund të këtij muaji.
Ndërkohë, situata në kaskadën e lumit Drin vazhdon të mbetet kritike, pasi thatësira e tejzgjatur thuajse e ka shteruar ujin në hidrocentralin e Fierzës.