KËSHAVA – FSHATI SHQIPTAR NË KUFIRIN MAQEDONI – GREQI

24 korrik 2024 | 15:53

Shtegtime nëpër Atdhe (CCCXXI)

Nga Berat Luzha

Në rrethinën e qytetit të Manastirit, rreth kufirit me Greqinë ende frymojnë një varg fshatrash shqiptare, si Kishava, Graeshnica, Llazheci, Mexhitlia, Kremenica, Zllakuçani, Ostreci, Xhinxhopola, Velushina, Zhabjani etj. Të gjitha këto fshatra janë në procesin e asimilimit apo banorët e tyre janë shpërngulur në vende të huaja. Banorët e kanë folur shqipen deri vonë dhe në disa raste e flasin ende në mjedise familjare. Edhe në pjesën veriore të Manastirit ndodhen fshatra shqiptare, të cilat tashmë janë të asimiluara, siç janë Dihova, Bratindoli, Snegova etj. Në veriperëndim ndodhen fshatrat shqiptare, si Lera, Kazhani e Dollenci. Drevniku malor, ku mendohet se ndodhej kështjella e Sfetigradit, më nuk ekziston si fshat, aty jetojnë vetëm dy familje shqiptare. Do të duhej që këto fshatra të riorganizohen territorialisht dhe të formojnë një komunë rurale, ashtu siç ka në tërë Republikën e Maqedonisë.

Rreth 20 km në jug të Manastirit dhe 3 km nga kufiri me Greqinë ndodhet fshati shqiptar i Këshavës apo Kishavës. Është fshat tërësisht shqiptar që i ka rezistuar asimilimit dhe deri diku edhe shpërnguljes. Shtrihet në jugperëndim të fushës së Pellagonisë dhe në shpatet lindore të malit Pelister, në lartësi mbidetare rreth 860 metra.

Dokumentet e shkruara e përmendin Këshavën që nga shek. XV, kur banorët e fshatit ishin të besimit ortodoks dhe në fshat ndodhet kisha e tyre, nga e cila e ka marrë emrin fshati Këshavë, Kishavë (nga fjala kishë).

Në fillim të shek. XIX shqiptarët myslimanë të fshatrave të Manastirit kanë filluar të emigronin jashtë vendit, kryesisht në Australi. Shpërngulja më e madhe nga Këshava është bërë në vitet 50-ta të shekullit të kaluar. Nga Këshava dhe fshatrat përreth shpërngulja është bërë të shumtën në Australi, ku ndodhet edhe sot ndodhet një bashkësi e gjerë e shqiptarëve me prejardhje nga jugu i R. së Maqedonisë Veriore.

Në shek. XIX Këshava bënte pjesë në kazanë e Manastirit, ndërsa sot është pjesë përbërëse e komunës së Manastirit. Rreth vitit 1900 Këshava kishte rreth 700 banorë, ndërsa sipas regjistrimit të vitit 2002 fshati kishte rreth 300 banorë, të gjithë të etnisë shqiptare.

Këshava është një fshat i tipit të grumbulluar, por që ndahet në shtatë lagje. Përmes fshatit kalon lumi i Këshavës, ku janë të ndërtuar disa mullinj me ujë. Si dhe fshatrat tjerë, edhe banorët e Këshavës tradicionalisht janë marrë me bujqësi e blegtori. Fshati është i dalluar veçanërisht për prodhimin e groshës së Këshavës, e kërkuar gjithmonë në treg për cilësinë e veçantë. Gjatë Perandorisë Osmane Këshava kishte kullota të gjera në malin Pelister dhe toka në fushën e Pellagonisë.

Është interesant se në Këshavë ekziston një kishë ortodokse, e cila më vonë ishte shndërruar në teqe. Në kishë kishte një varr dhe një ikonë të Shën Marisë. Në shek. XIX në fshat është ndërtuar xhamia e fshatit.

Në fshatin Këshavë funksionon në kushte mjaft të rënda higjienike e sanitare shkolla fillore regjionale “Krste Petkov Misirkov”. Në këtë shkollë, si dhe në shkollat tjera shqipe, punojnë edhe arsimtarë që nuk e dinë asnjë fjalë shqipe. Të gjithë nxënësit shqiptarë të komunës së Manastirit, të cilët e kryejnë shkollën fillore në gjuhën shqipe, janë të detyruar që shkollimin e mesëm ta vazhdojnë në gjuhën maqedonase apo të mos e vazhdojnë fare. Organet lokale të komunës së Manastirit kanë kundërshtuar hapjen e paraleleve të shkollës së mesme në gjuhën shqipe, duke u arsyetuar se gjoja nuk kishte mjaftueshëm nxënës, kuadër dhe hapësirë shkollore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, ka sot shkuar në veri…