Këshilla dhe sugjerime nga kreatorja e mirënjohur pejane, Edona Haxhijaj
Nuk ka dyshim se është njëra nga kreatoret më të suksesshme të brezit të mesëm, puna e së cilës dallon shumë nga ajo e kolegeve të saja, është kjo kreatorja pejane Edona Haxhiaj, e cila me punën dhe profesionalizmin e saj për vite me radhë e ka dëshmuar vetën se është e pazëvendësueshme karshi profesionit që ka.
Tani jemi në sezonin e dimrit dhe secila këshillë është e mirëseardhur për të gjitha ato vajza, që e ndjekin modën dhe që dëshirojnë të jenë në hap me kohën, me një stil të përsosur dhe në përputhshmëri me stinën.
Kreatorja e mirënjohur pejane, Edona Haxhijaj, në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ka dhënë këshilla dhe sugjerime profesionale se si duhet të duket veshja e një femre gjatë sezonit dimëror, cilat janë gabimet që i bëjnë femrat në kombinimin e ngjyrave, në përzgjedhjen e materialit, si dhe shumë çka tjetër.
“Epoka e re”: Si duhet të duket veshja e një femre gjatë stinës së dimrit?
Haxhijaj: Për stinën e dimrit gjithmonë jemi në kërkim të një looku të ngrohtë por sigurisht që edhe në modë, në mënyrë që të dukemi një hap me trendët e sezonit, por në të njëjtën kohë të dukemi edhe bukur. Nuk do të thotë se në sezonin e dimrit duhet patjetër të vishemi me rroba të trasha. Gjatë këtij sezoni preferohen palltot e zeza, xhinset e gjëra, bluzat e shkurtra me vija, fundet e shkurtra, këmishët e bardha klasike, pantallonat e zeza të shkurtra deri te kavilja e këmbës, xhaketat me kuadrate (katror) janë shumë shik.
Po ashtu kanatjerja prej mëndafshit e cila jep një pamje shik dhe seksi është veshje elegante dhe e rafinuar për ta veshur nën xhakete. Gjithashtu edhe triko për femra, çizmet e gjata, pantallonat me kuadrate (katror), fustanet e thurura, aksesoret për flokë, xhaketat xhinse dhe fundet prej mëndafshit.
Po ashtu veshjet me dizajn të lëkurës së kafshëve, argjendi apo gjithçka metalike. Veshjet bust pra shpatullat jashtë, veshjet me thek, kamishat e qëndisura, kristali dhe shkëlqimi, gjithashtu do të jenë kryefjala e modës për stinën e dimrit.
Për stinën e dimrit janë në modë edhe veshjet me dizajnë folklorike të origjinës së largët, gjithashtu theket vijnë sërish në modë me ngjyrat bardh e zi. Në stinën e dimrit shkojnë edhe veshjet mikse, një laramani ngjyrash dhe kombinimesh, puplat femërore dhe teatrale, si dhe pelerinat.
Sa i përket kombinimeve, aksesorët gjithsesi na duhen për stinën e dimrit. Shallat e ndryshëm dhe dorashkat apo dorëzat që gjithsesi duken bukur në kombinimin e çfarëdo veshje dimërore.
Ngjyrat që do jenë pretendente për këtë stinë të dimrit janë: ngjyra e portokallit, ngjyra lejla, ngjyra e pastelit, mirëpo disa shtëpi mode propozojnë edhe kontraste të bukura si Prada, veshje të zeza dhe të kombinuara me një vijë të kuqe në copëzat e zeza. Ngjyrat gjithashtu mund të jenë të ndezura: vjollcë në një xhup, sportive – ngjyra jeshile në një pallto të mbushur me tegela.
“Epoka e re”: Cilat janë gabimet që i bëjnë femrat e që nuk duhet t’i bëjnë gjatë kësaj stine?
Haxhijaj: Gabimet më të shpeshta ndodhin në përzgjedhjen e ngjyrave sepse femrat nuk i përshtatin ngjyrat me ngjyrën e tyre të lëkurës apo të flokëve. Shumë prej tyre preferojnë ngjyra gjallëruese gjatë stinës së dimrit, ky është njëri ndër gabimet me të shpeshta. Femrat duhen ta dinë se çdo stinë ka një gamë ngjyrash dhe kanë hapësirë të mjaftueshme për t’i përshtatur me veshjet e tyre.
Gabimi tjetër qëndron tek madhësia e veshjeve. Secila vajzë duhet të jetë e “sinqertë” me veten e saj kur vendos të blejë rroba, apo triko për femra. Një numër i madh i femrave mendojnë se veshjet e ngushta, janë alternativa e vetme për t’i vënë në pah format e trupit, por ky fakt nuk qëndron aspak në realitet. Andaj, duhet të vishen me rroba që i bëjnë të ndjehen mirë edhe nëse janë të gjëra, por ajo që e madhështon veshjen e tyre, është stili dhe kombinimi perfekt i ngjyrave dhe i aksesorëve.
Mes tjerash, duhet theksuar se mos përzgjedhja e duhur e këpucëve, shumë lehtë mund të prish kombinimin e një veshje.
“Epoka e re”: Çka parasheh sezoni i sivjetmë pranverë-verë?
Haxhijaj: Askush nuk do të thotë se ju visheni keq, nëse stili juaj është i veçantë dhe nëse ndiqet nga një qasje individuale. Ngjyrat trend për sezonin e këtij viti pranverë -verë do të jenë ngjyra purple ultra, jargavani, hija e bukur e të verdhës, jeshilja dhe e kuqja. Ndërkaq, ngjyrat e papritura që pritet të dominojnë në këto dy sezone janë edhe ngjyra kafe, blu, padyshim se do të dominoj ngjyra e trëndafilit, ajo e bardha e zeza, gri si dhe ngjyra bezhe.
Trendët pranverë-verë 2019-2020 në mesin e veshjeve të sipërme do të jenë: mantelet tunel, xhaketat, mantelet e prera origjinal, xhaketat elegante, xhaketat e shkurtra dhe xhaketat xhins të cilat janë bërë pjesë e kostumeve modern.
Trendët e pëlhurave do jenë: lëkura, xhins, mëndafshi dhe sateni.
Në trendin e veshjeve prej xhinsi janë xhinset me variacione të ndryshme, stilet elegante të xhinseve dhe këmisha. Gjithmonë stilistet e kërkojnë gruan e sofistikuar. Stilistet për këtë vit e kanë propozuar thuajse të gjitha stilet nga klasikja tek modernja, ekstravaganca apo retro. Ajo që ra në sy ishte kordelja e himn “BON TONIT”, por nuk mungonte edhe kapolja e kashtës, kapolet e punuar në dorë, të cilat u prezantuan si simbol i sharmit retro, thurjet me grep d.m.th kapolet për këtë sezon do të jenë shumë në trend.
“Epoka e re”: Cilat janë ndryshimet nga vitet e mëparshme të këtyre dy sezoneve?
Haxhijaj: Sa i përket ndryshimeve nuk ekzistojnë edhe ndryshime të mëdha sepse pothuajse ka disa vite që kemi thuaja tendenca të njëjta të ngjyrave dhe format e prerjeve. Po ashtu pëlhurat të cilat po përdoren ndër vite… me ndryshime të vogla.
“Epoka e re”: Cilat janë detajet që e pasurojnë një veshje solemne në këtë sezon?
Haxhijaj: Veshjen solemne e bënë të veçantë vet rasti pasi që nuk vishet në përditshmëri. Andaj, femrat duhet të jenë të kujdesshme dhe t’i kushtojmë rëndësi dhe detajit më të vogël. Duke filluar nga materiali, këpucët, grimi, si dhe aksesorët përcjellëse, që ndikojnë në madhështinë e veshjes solemne.