Këshilli i BE-së shqyrton rekomandimin për zgjatjen e mandatit të Lajçak-ut në dialog për pesë muaj
Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se ka pranuar rekomandimin për të zgjatur mandatin e emisarit special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe për këtë pritet që të marrë vendimin këshilli.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Ana Pisonero, në një konferencë për media të premten u shpreh se tashmë është lëshuar një rekomandim për këtë cështje.
“Tashmë është lëshuar një rekomandim për të zgjatur mandatin e Miroslav Lajçakut në detyrë për pesë muaj, pra deri më 31 janar 2025”.
“Vendimin për këtë do ta marrë Këshilli”, tha Pisonero.
Lajçak, ish-Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, për herë të parë mandatin e Emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, e kishte marrë më 2 prill të vitit 2020.
Pas përfundimit të mandatit, BE-ja ia kishte zgjatur mandatin edhe pas 1 prillit 2021, për 18 muaj.
Por, kjo nuk kishte qenë zgjatja e fundit e mandatit.
Sllovakut, më 18 korrik, Unioni ia kishte besuar edhe një herë – me shumë gjasë e fundit – detyrën (24 muaj) në krye të negociatave për të arritur një marrëveshje kompromisi mes dy vendeve ballkanike që assesi të merren vesh.
Gjatë kohës kur Miroslav Lajçak ka negociuar procesin e dialogut nuk është bërë ndonjë progres domethënës, madje situata mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë tejet e tensionuar.
Po ashtu, ka pasur kritika sidomos nga zyrtarët kosovarë se ndërmjetësuesi Lajçak “po mban anën” e Serbisë.
Arritja më e madhe e sllovakut, në detyrën që Unioni ia kishte besuar, është Marrëveshja Bazike (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, 18 mars).
Pajtimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin e Lajçak-ut, dhe shefit të tij, Josep Borrell, për atë që tani njihet si Marrëveshja Bazike, përmbante 11 nene, përmes të cilave Bashkimi Evropian e ShBA-të besonin se kanë gjetur zgjidhjen përpara.
Aty Kosova, pos tjerash pranonte që t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet e arritura me herët, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe pajtimin për një status special për Kishën Ortodokse Serbe.
Serbisë i kërkohej që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përgjithësisht njëfarë njohje de-facto të shtetësisë.
Mirëpo, zbatimi i kësaj marrëveshje – aktualisht – ka mbetur në hije, pasi që palët, përkatësisht Kosova dhe Serbia, në vend të implementimit, po akuzojnë njëra tjetrën për shmangie të përgjegjësive nga ajo çka vetë kanë pranuar.