Këshilli i BE-së sot diskuton për reformën e zgjerimit
Ministrat e BE-së do ta diskutojnë sot situatën në fushën e zgjerimit dhe të politikës së pranimit në një takim të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në Bruksel.
Ministrat do ta shqyrtojnë për herë të parë propozimin francez për reformimin e politikës së zgjerimit, por nuk priten përfundime konkrete, njoftoi Këshilli i BE-së. “Ne nuk e dimë se sa konkretë mund të jemi, por sigurisht duam t’i dërgojmë një mesazh pozitiv rajonit” tha Këshilli i BE-së.
Këshilli i BE-së njoftoi se ministrat e Çështjeve të Përgjithshme të BE-së dhe atyre evropiane (GAC) do të diskutojnë për situatën në fushën e politikës së zgjerimit dhe procesin e pranimit, si pika e fundit në rendin e ditës. “Ky duhet të jetë vetëm ‘hapi i parë’ për rinovimin e politikës së zgjerimit si dhe besimin midis shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thanë burimet e Këshillit të BE-së.
Gjithashtu pritet që sekretarja e Shtetit të Francës për Çështje Evropiane, Amelie de Montchalin, do të paraqesë propozime nga Parisi për ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit.
Javën e kaluar Franca ua paraqiti të ashtuquajturin “propozim diskutimi” vendeve anëtare, duke përshkruar katër parime që Parisi i sheh si bazë për një metodologji të re të zgjerimit të BE-së.
Që nga bllokimi i hapjes së negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore në tetor, Franca është përpjekur për një pranim më gradual në BE, hapjen e fondeve strukturore të BE-së për vendet kandidate, por edhe për një politikë më të rreptë të kushtëzimit dhe kthimin e procesit të zgjerimit.
Në Bruksel thonë se propozimi francez është një “subjekt për diskutim” dhe se forma përfundimtare e një reforme të mundshme të metodologjisë së zgjerimit duhet të varet nga konsensusi i të gjitha shteteve anëtare.
Kujtohet gjithashtu se shumica e shteteve anëtare, me përjashtim të Holandës dhe Danimarkës, kundërshtuan Parisin në vendimin e tij për të bllokuar hapjen e negociatave të pranimit me Tiranën dhe Shkupin, transmeton “KosovaPress”.
Ishin pikërisht vendet anëtare të Grupit të Vishegradit, si dhe Austri dhe Italia, të cilët kërkuan që çështja e zgjerimit të vihet në agjendën e BE-së sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të përcaktohen “kornizat e punës dhe të kohës”, pra të “zhbllokojnë” dhe të përcaktojnë sa më shpejt rrugën e Ballkanit Perëndimor për në BE.
Tani për tani, qëllimi është që gjithçka të bie dakord dhe të precizohet deri në pranverën e vitit 2020 për të filluar negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, përkatësisht për të rivendosur besimin dhe partneritetin e ndërsjellë në samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor të planifikuar për maj 2020 në Zagreb.