Këshilli i BE-së vazhdon për gjashtë muaj serinë e sanksioneve ndaj Rusisë

27 janar 2023 | 16:54

Këshilli i Bashkimit Evropian, më 27 janar, ka vazhduar edhe për gjashtë muaj sanksionet për sektorë të caktuar të ekonomisë ruse, deri më 31 korrik.

Sanksionet, të cilat janë vendosur për herë të parë në vitin 2014, pas aneksimit të gadishullit të Krimesë, janë zgjeruar ndjeshëm që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, thuhet në një deklaratë të Këshillit të BE-së.

Sanksionet përfshijnë kufizime në tregti, financa, teknologji, industri, transport dhe mallra luksoze; ndalimin e importit ose transportit nga deti të naftës bruto dhe produkteve të caktuara të naftës nga Rusia në Bashkimin Evropian; anulimin e rrjetit të transaksioneve SWIFT për disa banka ruse; si dhe pezullimin e transmetimeve të përmbajtjeve të caktuara nga Rusia.

Në njoftim është thënë se përveç sanksioneve ekonomike ndaj Federatës Ruse, BE-ja ka lloje të ndryshme të masave, si përgjigje ndaj veprimeve destabilizuese të Rusisë kundër Ukrainës.

Këto përfshijnë: kufizime në marrëdhëniet ekonomike me Krimenë e aneksuar jolegalisht dhe me qytetin e Sevastopolit, si dhe me rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut që nuk janë nën kontrollin e qeverisë; masa kufizuese individuale (ngrirja e aseteve dhe kufizimet e udhëtimit) për një listë të gjerë individësh dhe subjektesh, si dhe masa diplomatike.

Që nga 24 shkurti, BE-ja ka miratuar një varg pakosh të ashpra sanksionesh, si përgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

“E përballur me luftën agresore ruse, BE-ja qëndron në mënyrë të vendosur pranë Ukrainës dhe popullit të saj dhe është e palëkundur në mbështetjen e saj për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”, është thënë në deklaratë. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardioa, pranon se një thirrje…