Këshilli i Evropës: Marrëveshja Shqipëri-Itali rrit shqetësimet për shkeljet e të drejtave të njeriut
Komisionarja e lartë për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatoviq, ka thënë se marrëveshja e arritur në mes të Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët rrit shqetësimet për të drejtat e njeriut dhe shton shqetësimet për tredin evropian që përgjegjësitë për azilkërkuesit të dalin jashtë kornizës evropiane.
“Memorandumi i mirëkuptimit ngreh një sërë pyetjesh të rëndësishme mbi ndikimin që mund të ketë zbatimi i tij ndaj të drejtave të refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve. Memorandumi krijon një regjim ad hoc azili ekstraterritorial, të karakterizuar nga shumë dykuptimësi ligjore. Në praktikë, mungesa e sigurisë ligjore ka të ngjarë të minojë masat mbrojtëse për të drejtat e njeriut dhe përgjegjësinë për shkeljen e rregullave, duke rezultuar në trajtim diferencial në mes atyre që aplikimet për azil do të shqyrtohen në Shqipëri, dhe atyre që do të shqyrtohen në Itali”, ka thënë ajo përmes një deklarate.
Mijatoviqi ka thënë se ky memorandum është një tregues i një dëshire të shfaqur edhe në shtetet e tjera anëtare të Këshillit të Evropës, të cilët po shqyrtojnë modele të ndryshme për azilkërkuesit si “zgjidhje të shpejtë” të sfidave të ndërlikuara që paraqesin ardhja e refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve.
“Megjithatë, këto masa rrisin në mënyrë të ndejshme rrezikun për të ekspozuar refugjatët, azilkërkuesit dhe emigrantët ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut. Bartja e përgjegjësisë përtej kufijve nga disa shtete stimulon shtetet e tjera që të veprojnë njësojë, gjë që rrezikon që të krijojë një efekt domino që të do minonte sistemin evropian dhe botëror për mbrojtje ndërkombëtare”, ka thënë Mijatoviqi.
Më 6 nëntor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ajo e Italisë, Giorgia Meloni, kanë nënshkruar një marrëveshje, sipas së cilës, Italia do të dërgojë në Shqipëri emigrantët që shpëton në Detin Mesdhe dhe ndërsa Italia do të financojë për ngritjen e qendrave për pritjen e tyre.
Marrëveshja do të nisë së zbatuari pranverën e vitit të ardhshëm.
Sipas protokollit të publikuar nga qeveria shqiptare, Italia do të depozitojë 16.5 milionë euro në një llogari të posaçme të Thesarit të Shqipërisë, si paradhënie për strehimin e emigrantëve.
Marrëveshja është kritikuar nga organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, që e ka quajtur atë si “të jashtëligjshme dhe të pazbatueshme”. /REL
Komisionarja e lartë për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatoviq