Këshilli i Evropës: Njësitë Speciale të mos çohen në veri për detyra të zakonshme, të ketë koordinim me KFOR-in dhe EULEX-in
Këshilli i Evropës (KE) ka publikuar Raportin për Kosovën, në të fund të së cilit ka dhënë edhe një numër të madh rekomandimesh për të përmirësuar gjendjen në fusha të ndryshme.
Këshilli i Evropës (KE) ku Kosova tashmë ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim, ka kërkuar që të implementohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat e Manastirit të Deçanit.
Gjithashtu KE ka kërkuar që të respektohet plotësisht pavarësia e sistemit të drejtësisë duke u përmbajtur nga “kritikat e panevojshme që minojnë besimin në drejtësi” dhe kërkojnë që të vazhdohen përpjekjet për reforma në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe duke respektuar plotësisht standardet evropiane.
Më tutje, KE-ja ka ka kërkuar vazhdim të përpjekjeve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar për të siguruar implementim të legjislaturës së re në Kosovës.
Përveç këtyre, Këshilli i Evropës ka kërkuar që institucionet e Republikës së Kosovës të përmbahen nga përdorimi i forcave speciale të Policisë së Kosovës për detyra të përditshme në Veri dhe të sigurojë që forcat speciale dërgohen në Veri vetëm në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in.
Sa i përket të drejtave të njeriut, KE-ja ka kërkuar që shteti të sigurojë qasje efektive në një arsim sekondar kualitativ dhe librat për të gjithë fëmijët, përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët që iu përkasin “grupeve në disavantazh si romët, ashkalitë dhe egjiptianët”, shkruan “Express”.
Gjithashtu, Këshilli i Evropës ka kërkuar që në mënyrë urgjente të adresohet mungesa e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar për çështjet e pakicave.
“Një qasje e tillë duhet të zhvillohet dhe zbatohet në bashkëpunim me të interesuarit dhe në mënyra që pasqyrojnë nevojat specifike të komuniteteve të ndryshme”, është thënë në raportin e KE-së.
Përveç kësaj, KE-ja ka kërkuar që Kosova “të adresojë problemet e vazhdueshme në zbatimin dhe monitorimin e legjislacionit gjuhësor, duke përfshirë në nivel komunal dhe të sigurojë si çështje prioritare forcimin ligjor, pavarësinë, burimet adekuate dhe vazhdimësinë e funksionimit të Komisionerit për Gjuhët” dhe “ të miratojë strategji konkrete për dialogun ndërmjet komuniteteve dhe për hapësira dhe aktivitete të orientuara drejt pajtimit, veçanërisht në arsim, me qëllim që të hapet rruga për zhvillimin dhe besimin gjithëpërfshirës shoqëror”.