Këshilli i Investitorëve Evropian publikon “White Book 2024”
Këshilli i Investitorëve Evropian ka lansuar Librin e Bardhë 2024 – “White Book 2024”. Ky botim historik, i pesti i këtij lloji, përmbledh rekomandime nga investitorë në sektorë të ndryshëm. Në këtë libër është theksuar zvogëlimi i barrierave të biznesit, përmirësimin e sundimit të ligjit, procedurat tatimore dhe promovimin e konkurrencës së ndershme në ekonominë e tregut të lirë.
Gjatë prezantimit të Librit të Bardhë 2024, folësit kanë shprehë mirënjohje përpjekjeve të anëtarëve të këtij këshilli për kontributin e tyre në përpilimin dhe përgatitjen e këtij dokumenti. Po ashtu nga folësit e këshillit janë falënderuar partnerët nga Qeveria dhe institucionet e BE-së në Kosovë, për ndarjen e njohurive të tyre të vlefshme mbi dokumentin gjatë fjalëve të tyre hyrëse:
Të pranishëm në këtë promovim të Librit të Bardhë 2024, ishin, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, znj. AnnaCarin Platon, Shefe e Seksionit të Politikave në Zyrën e BE-së në Kosovë, z. Sergiy Maslichenko, Kryetar i BERZH-it në Kosovë, si dhe nikoqirët Genond Mesareja, kryetar i Bordit (EIC), të Këshillit të Investitorëve Evropianë, njëherit drejtor i Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group sh.a -dega Kosovë, pastaj drejtori menaxhues i Këshillit të Investitorëve Evropian, Emrush Ujkani etj.
Para të pranishmëve me një fjalë rasti është paraqitur Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, i cili ka përshëndetur kryetarin e Bordit (EIC), të Këshillit të Investitorëve Evropianë, z. Genond Mesarejen pastaj drejtorin e BERZH-it, Sergiy Maslichenko, drejtorin menaxhues të këshillit të investitorëve evropian, Emrush Ujkanin, dhe të pranishmit tjerë. Kurti ka thënë se ndihet i nderuar që po merr pjesë në edicionin e pestë të lansimit të Librit të Bardhë nga Këshilli Evropian i Investitorëve. Kurti ka thënë se është mese i nevojshëm ky libër sepse shohim shumë gjera të mira të cilat mund t’i inkorporojmë për të përmirësuar panoramën ekonomike të Kosovës.
Publikimi i Librit të Bardhë 2024, është mundësua dhe mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë, ProCredit Bank dhe NLB Kosova.
#Libri i Bardhë2024 #Zhvillimi Ekonomik #Kosova #Investimet #Përmirësimi i klimës së biznesit