Këshilli i Los Anxhelos shpëton nga shembja shtëpinë e Marilyn Monroe
Fansat e Marilyn Monroe në Los Angeles u revoltuan, pasi shtëpia në të cilën aktorja kaloi vitet e fundit të jetës së saj dhe ku u gjet e vdekur më 5 gusht 1962, rrezikoi shembjen. Këtë javë bashkia i dha pronarit lejen për të prishur rezidencën, një shtëpi e stilit spanjoll, 270 metra katrorë në një kat, me një kopsht dhe pishinë në pjesën e pasme.
Por të premten Këshilli i Qytetit të Los Anxhelosit votoi për të nisur një proces për caktimin e ish-shtëpisë së aktores Marilyn Monroe, një monument historik dhe kulturor, duke bllokuar planet për ta shkatërruar.
Mocioni për të filluar shqyrtimin e shtëpisë së stilit kolonial spanjoll në seksionin Brentwood të LA për ruajtjen historike u prezantua nga këshilltarja Traci Park dhe u miratua njëzëri në të njëjtën ditë.
Në përgjigje të votave 12-0, Bordi i Komisionerëve të Ndërtimit dhe Sigurisë së qytetit hoqi menjëherë lejen e prishjes që ishte lëshuar një ditë më parë. Vetë mocioni i Këshillit Bashkiak gjithashtu ndalon ndryshime të mëdha në pronë, ndërkohë që rishikimi i statusit të saj të mundshëm si një pikë referimi është duke u zhvilluar.
Paige tha se ajo vizitoi shtëpinë të enjten dhe se nuk ishte bërë asnjë punë në vend, aktualisht në pronësi të një entiteti pak të njohur të quajtur Glory of the Snow Trust.
E ndërtuar në vitin 1929, ajo qëndron në fund të një rruge të qetë pa rrugëdalje në Brentwood, një lagje luksoze ku vlera e tokës së ndërtimit tani po shkon në qiell. Pikërisht për këtë, pronari kërkon të prishë shtëpinë, e cila është mjaft modeste për parametrat aktualë dhe për zonën në të cilën ndodhet, dhe ta bëjë më fitimprurëse.
Ikona e Hollivudit ndërronte shumë shpesh vendbanimin në qytet. Por e vetmja shtëpi që ajo bleu për vete ishte shtëpia e bardhë në 12305 Fifth Helena Drive në Brentwood. Ajo e bleu atë në vitin 1961, në fund të martesës së saj me dramaturgun Arthur Miller, për 75,000 dollarë.
Shtëpia, e cila ka mbetur pak a shumë e pandryshuar, u shit për herë të fundit një muaj më parë, për 8.4 milionë dollarë. Përpara derës së hyrjes janë ende pllakat mbi të cilat Marilyn kishte shkruar latinisht “Cursum Perficio” (Udhëtimi im përfundon këtu). Një ogur i trishtë: disa hapa më tutje, në dhomën e gjumit, diva u gjet e vrarë nga një mbidozë droge në moshën 36-vjeçare.