Këshilli i Prindërve kërkon nga qeveria t’i ekzekutojë pagat për mësimdhënësit
Këshilli i Prindërve ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i ekzekutojë pagat e mësimdhënësve për muajin shtator.
“Grevat në arsimin e obligueshëm duhet të rregullohen me ligj dhe jo me forma të tjera ‘disiplinimi’”, është thënë në reagimin e Këshillit të Prindërve.
Reagimi i plotë i Këshillit të Prindërve:
PAGAT E MËSIMDHËNËSVE DUHEN DHËNË‼
Si Këshill i Prindërve kemi avokuar, arsyetuar dhe deklaruar gjithnjë në të drejtën kushtetuese dhe njerëzore të fëmijëve tanë për përkujdesje, edukim dhe arsimim publik të pamohueshëm nga askush. Kundërshtimi ynë kryesor ndërlidhet me të drejtën monopolizuese të SBAShK për të “mbyllur” e “hapur” shkollat sipas vlerësimeve të pak individëve dhe në dëm të plotë ndaj fëmijëve e prindërve.
Por asnjëherë nuk jemi dakord që ne të krijojmë një situatë edhe më të rëndë (sesa vetë greva) dhe të gjithë ata mësimdhënës të ngelen pa paga për diçka që shteti i Kosovës e ka pranuar vazhdimisht të mirëqenë dhe asnjëherë nuk iu është ndaluar paga. Grevat në arsimin e obligueshëm duhet të rregullohen me ligj dhe jo me forma të tjera “disiplinimi”.
Andaj, si Këshill i Prindërve i Kosovës i bëjmë thirrje institucioneve të Qeverisë së Kosovës të bëjnë ekzekutimin e plotë të pagave të mësimdhënësve pa vonesë.
Nëse nuk mund ta bëni më mirë arsimin – së paku mos e bëni më keq!
Na lini të kthehemi në normalitet!