Këshilli i Prindërve kërkon pushim pranveror për nxënësit
Këshilli i Prindërve të Kosovës po kërkon që nxënësve të ju jepet pushimi pranveror.
Labinot Salihu nga ky Këshill, në emision “Sot” të KTV-së, ka thënë se që nga fillimi kanë qenë kundër formës së si është trajtuar greva nga Ministria e Arsimit.
“Nxënësit në shkollë shkojnë të mësojnë dhe koha e pushimit është po aq e rëndësishme sa edhe koha e mësimit, dhe kjo do të thotë që vikendet dhe pushimet të cilat janë të paramenduara të jenë brenda vitit shkollor, janë jashtëzakonisht të rëndësishme, sepse kapaciteti i fëmijëve nuk është i pashtershëm dhe i pakufishëm”, është shprehur Salihu.
Sipas tij Ministria e Arsimit, vendimin e ka bazuar në ligj, por jo në interes dhe të mirën e fëmijëve dhe të nxënësve.
“Ne vazhdojmë të kërkojmë që vendimet dhe vlerësimet e Ministrisë së Arsimit dhe të të gjitha palëve të bëhen në interes të nxënësve, sepse ata ekskluzivisht janë të thirrur të kryejnë përgjegjësi për nxënës”, ka theksuar Salihu, duke shtuar se kanë “për fat të keq, sipas të gjitha gjasave”, pushimi nuk do të mbahet.
Ai ka thënë se edhe zëvendësimi i orëve të humbura gjatë grevës në vikende, nuk është bërë në mënyrën e duhur, pasi që sipas tij shumica e fëmijëve nuk kanë ndjekur mësimin vikendeve.
Ministria e Arsimit ka marr vendim që pushimi pranveror të mos mbahet, si pasojë e grevës së mbajtur në arsim vitin e kaluar.