Këshilli i Sigurimit i OKB-së të mërkurën diskuton për Kosovën
Këshilli i Sigurimit i OKB-së nesër (e mërkurën) do të diskutojë sërish për Kosovën, pavarësisht se disa shtete kanë kërkuar që për zhvillimet në Kosovë të mos diskutohet çdo tre muaj.
Njohës të rrethanave politike kanë thënë se ideja e shkëmbimit të territoreve, ka bërë që misioni i UNMIK-ut në Kosovë të shihet ende i nevojshëm.
Njohës të zhvillimeve politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare vazhdimin e raportimit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e ndërlidhin me rrethanat aktuale politike nëpër të cilat po kalon vendi.
Ideja e korrigjimit të kufirit Kosovë-Serbi mund të ketë reflektuar edhe në vendimin e disa shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara për tërheqjen e misionit të tyre në Kosovë. Prandaj, UNMIK-mbetet në sytë e shumë shteteve si mision i nevojshëm, thotë profesori në Universitetin e Parisit, Nezir Kraki.
“Fatkeqësisht, si duket iniciativat e fundit në Kosovë për shkëmbim territoresh, për ri-diskutim të statusit, të gjitha temat të cilat dolën këta muajt e fundit, e kanë rikthyer Kosovën në sirtarin e çështjeve të papërfunduara, kështu që duke qenë në sirtarin e ri politik, normal që edhe UNMIK-u mbetet në sytë e shumë shteteve aktual edhe i nevojshëm”, ka thënë ai.
Ndonëse roli i UNMIK-ut sot në Kosovë është i zbehur, ndryshimi, përshtatja ose përmbyllja e mandatit të këtij misioni mund të bëhet vetëm me miratimin e një rezolute të re.
Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë për “Radio Kosovën” se Rezoluta 1244, me të cilën i është dhënë mandati i UNMIK-ut në Kosovë, duhet të zëvendësohet me një rezolutë të re.
“Ndryshimi, përshtatja ose përmbyllja e mandatit të UNMIK-ut bazuar në rezolutën 1244, mund të bëhet vetëm me miratimin e një rezolutë te re, që shfuqizon Rezolutën 1244 dhe sjell në fuqi një rezolutë tjetër”, ka deklaruar Hoti.
Mandati i Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) është përcaktuar nga Këshilli i Sigurimit përmes Rezolutës 1244 në vitin 1999-të.