Këshilli i Sigurimit zgjatë mandatin e misionit në Afganistan

18 shtator 2021 | 00:16

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, votoi njëzëri më 17 shtator, për të rinovuar mandatin e misionit të tij politik në Afganistan edhe për gjashtë muaj të tjerë, pas marrjes nën kontroll të vendit nga ana e talibanëve në gusht.

Këshilli i përbërë prej 15 anëtarësh, i kërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, të raportonte deri në fund të janarit të ardhshëm, për “rekomandimet strategjike dhe operacionale për mandatin” e misionit politik të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Afganistan, i njohur si UNAMA.

Misioni politik i UNAMA-s merret me çështje që lidhen me zhvillimin dhe ndihmën humanitare, por jo edhe me ruajtjen e paqes.

Këshilli i Sigurimit tha se rekomandimet në raportin e Guterresit, duhet të adresojnë “zhvillimet e fundit politike, të sigurisë dhe ato shoqërore”, pasi që Qeveria afgane e mbështetur ndërkombëtarisht, u rrëzua dhe u zëvendësua nga një qeveri kujdestare e udhëhequr nga talibanët.

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit u bëri thirrje gjithashtu talibanëve të krijojnë “një qeveri gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese” për të zëvendësuar qeverinë e tyre të përkohshme.

Ai tha se talibanët duhet të formojnë një qeveri me “pjesëmarrje të plotë, të barabartë dhe kuptimplote të grave dhe të mbrojë të drejtat e njeriut, përfshirë gratë, fëmijët dhe pakicat”.

Qeveria e përkohshme e udhëhequr nga talibanët, përbëhet vetëm nga grupet e ashpra të talibanëve, kurse Departamenti i Çështjeve të Grave është shpërbërë, tha javën e kaluar i dërguari special i OKB-së për Afganistanin.

Në fakt, nga 33 të emëruar nga talibanët javën e kaluar, 30 janë figura talibane etnikisht pashtune.

Kishte vetëm dy të emëruar të etnisë taxhike dhe vetëm një të etnisë uzbeke. Qeveria e udhëhequr nga talibanët nuk është njohur nga asnjë vend.

Rezoluta e miratuar më 17 shtator, thotë se OKB-ja do të vazhdojë të luajë një “rol të rëndësishëm” në promovimin e paqes dhe stabilitetit në Afganistan.

Diplomatët thanë se talibanët nuk kanë kundërshtuar që mandati i UNAMA-s të rinovohet./ REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga 230 milionë euro investime të huaja direkte në Kosovë…