Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Serbisë mblidhet shkaku i Kosovës

13 maj 2022 | 10:48

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Serbisë mblidhet sot në Beograd – një ditë pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Takimi, i thirrur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pritet të nisë nga ora 11:00.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare tubon përfaqësuesit më të lartë të sektorit të mbrojtjes dhe të sigurisë në Serbi dhe kryesohet nga kreu i shtetit.

Në rend të ditës së seancës është aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Autoritetet e Kosovës konfirmuan të enjten se kanë aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në këtë organizatë, e cila merret me të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha pas dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim se Prishtina zyrtare po hap një kapitull të ri.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është mundësi për Kosovën që të përparojë edhe më shumë në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

“Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, ku të drejtat dhe liritë e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj. Liria e shprehjes dhe medias çdo herë e më shumë po shënon përmirësim. Luftimi i korrupsionit është i pakompromis. Reforma në sundimin e ligjit, prioritet”, ka deklaruar Kurti.

Kosova ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por ende nuk është anëtarësuar në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Përveç që nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, Kosova nuk është as anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) dhe të tjera.

Serbia, gjatë gjithë kohës, ka bërë fushatë aktive për tërheqjen e njohjeve së pavarësisë së Kosovës dhe për bllokimin e anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Aleate kryesore e Serbisë në këto përpjekje është Rusia.

Rusia është përjashtuar nga Këshilli i Evropës më 16 mars të këtij viti, për shkak të agresionit që ka filluar në Ukrainë, më 24 shkurt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka njoftuar se…