Këshilli Inicues i Muzeut të Artit Bashkëkohor në vizitë studimore në Holandë
Me ftesë të Fondacionit Manifesta, Këshilli Inicues i MAB ka zhvilluar një vizitë studimore në një numër të muzeve në Holandë me qëllim të takimit me drejtues të këtyre institucioneve, analizimin e objekteve të muzeve, mbledhjen e informatave rreth ndërtimit të koleksioneve, modeleve të qeverisjes së institucionit, dhe menaxhimit me staf dhe audiencë.
Në ditën e parë të qëndrimit atje ishin në Qendrën për zhvillimin e kulturës bashkëkohore, Het HEM, ku janë pritur nga drejtorja e partneriteteve dhe zhvillimit, Berber Meindersma, për të vazhduar në klubin e kulturës alternative Sexyland ku u takuan me drejtorin dhe bashkëthemeluesin, Arthur van Beek.
Këshilli gjithashtu kanë vizituar ish-uzinën e gazit “Westergasfabriek”, muzeun Stedeljik ku delegacioni është pritur nga drejtori i muzeut, Rein Wolfs, i cili ka dhënë shumë informata mbi modelin dhe funksionalitetin e një muzeu publiko-privat.
Ndërsa dita ka vazhduar në “De Rijksacademie”, akademinë dyvjeçare të artit në Amsterdam, ku drejtoresha, Emily Pethick ka treguar të gjitha hapësirat e akademisë dhe procedurat e
selektimit të artistëve ne këtë institucion.
Programi vazhdoi në zyrat qendrore të Fondacionit Manifesta, dhe në fund të ditës, u pritën në darkë nga presidenti i Fondacionit Manifesta, Alexander Rinnooy Kan, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i Kosovës në Holandë, Dren Doli.
Në ditën e dytë të vizitës, KIMAB ishin në muzeun Voorlinden në Wassenaar, ku janë pritur nga drejtuesja e ekspozitave, Barbara Bos, për të vazhduar në Roterdam në Depot Boijmans Van Beuningen për tu takuar me shefin e arsimit të muzeut, Yoeri Meessen dhe Fokke Moerel, partnere dhe arkitekte në studion e famshme të arkitekturës MVRDV, e cila njëkohësisht ka ndërtuar objektin e Depot.
Programi ka vazhduar në muzeun Kunstinstituut Melly. Drejtorja Sofia Hernandez Chong Cuy, i ka njoftuar për përfshirjen e komunitetit në ndërtimin dhe zhvillimin e identitetit të një muzeu. Dita ka përfunduar me vizitë në studion e arkitekturës MVRDV dhe takimin me bashkëthemeluesin e studios dhe arkitektin e famshëm holandez, Winy Maas.
Në ditën e tretë këshilli ka vazhduar në qytetin e Tilburg, ku është vizituar ish-stacioni i trenit tashmë i shndërruar në hapësirë multifunksionale me shfrytëzim për bibliotekë, hapësira studiese, hapësira ekspozuese, amfiteatër dhe shfrytëzime komerciale.
Programi është përmbyllur me vizitën në muzeun De Pont.