Këshilli Nacional i Infermierisë kërkon që infermierët të paguhen sipas shkollimit
Në takimin e parë të Këshillit Nacional Këshillëdhënës të Infermierisë është kërkuar që të bëhet një diferencim sa i përket pagesës së infermierëve, sipas profilit të tyre të shkollimit.
Sipas njoftimit për media pagesa e infermierëve sipas profilit të shkollimit, ishte vetëm njëra nga kërkesat e para të bëra në takimin e parë të Këshillit Nacional Këshillëdhënës të Infermierisë të themeluar nga Oda e Infermierëve të Kosovës.
Kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemaj, ka thënë se të gjitha propozimet që do të jepen nga ky këshill do të dërgohen në organet e OIK-ut që komitetit infermieror t’i dilet në ndihmë.
Natyra Karahoda, kryesuese e Këshillit Nacional Këshillëdhënës të Infermierisë ka thënë se shpreson që do të ndihmojë në kapacitetet e saja. “Si çdoherë do ta keni mbështetjen time në fuqizimin e infermierisë në Kosovë për arsye se thellë mendoj se është një fushë e cila është shumë specifike dhe e rëndësishme”, ka thënë ajo.
Karahoda ka thënë se shprehë kënaqësinë që ka arritur të shohë një evolucion ku në Kosovë vlerësohet puna dhe rëndësia e infermierisë për dallim prej viteve pas lufte.
Hysni Bajrami, zëvendëskryetar i këtij këshilli ka thënë se ky forum ka mbledhur eminencën e infermierisë dhe është krijuar një mekanizëm politik bërës. “Ajo që ne mendojmë se shkon në favor të interesit profesional, diskutohet këtu në këshill e pastaj të shkojnë politikat tek organet e Odës”, ka thënë ai.
Bajrami ka thënë se jo rastësisht në këtë këshill janë edhe përfaqësuesit infermieror të Shqipërisë. “Kemi shumë retorikë se po bashkohemi, por janë disa çështje praktike që ballafaqohemi. Ka mbaru qytetari i Kosovës licencën në Shqipëri, Kosova nuk e pranon, ka dhënë provim shtetëror në Shqipëri, Kosova nuk e pranon. Gjërat më elementare që mund të rregullohen”, ka thënë Bajrami.
Blerina Duka kryetare e urdhrit infermieror në Shqipëri, ka thënë se beson që kjo tryezë është një ide jashtëzakonisht e mirë që do të shërbejë për Kosovën dhe Shqipërinë. “Kjo na mundëson të punojmë bashkë në të mirë të komunitetit”, ka theksuar ajo.
Muharrem Arifi, anëtar i këshillit, ka thënë se duhet menjëherë të fillohet me propozime konkrete. Ai ka thënë se një ndër to është të kryhet pagesa sipas kualifikimeve, për infermierët e diplomuar në fakultet apo ata me shkollë të mesme.
Ky këshill, që është formuar para një muaji, e që do të propozoj Odës masa për mbrojtjen, prezantimin dhe avancimin e interesave profesionale të anëtarëve të OIK, si dhe promovimin e standardeve të larta të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë.