Këshilli Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë vizitoi KEK-un
Në kuadër të vizitave të planifikuara, Këshilli Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë (KNSShP) ka vizituar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Gjatë kësaj vizite, ky këshill është njoftuar nga ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues të KEK-ut, Nijazi Thaqi për gjendjen dhe kushtet e punës në gjigantin energjetik të Kosovës.
Po ashtu, kryesuesi i Këshillit për Siguri dhe Shëndet në Punë dhe zëvendësministri i MPMS-së, Çerkin Dukolli është njoftuar me rregulloret dhe masat mbrojtëse që aplikon KEK-u në vendet e punës.
Si rezultat i veprimeve adekuate, numri i të lënduarve është reduktuar minimalisht.
Brenda këtij nëntëmujori është raportuar se ka pasur shumë pak lëndime dhe vetëm një rast me fatalitet.
Zëvendësministri Dukolli ka mirëpritur raportin me rezultatet e minimalizuara të aksidenteve, duke inkurajuar menaxhmentin që të vazhdojë edhe më tutje në ngritjen e masave konkrete të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Ai ka shtuar se pavarësisht interesave dhe përfitimeve që ka Kosova nga KEK-u, jetët e njerëzve janë më të shtrenjta dhe më të vlefshme.
“Dukolli është informuar u informua se sistemi i sigurisë është i harmonizuar me Ligjin për siguri dhe shëndet në punë, dhe këtë sistem KEK e aplikon në dy nivele, në nivel korporate dhe në nivel të divizioneve, njësive Kosova A dhe B, dhe minierave. Në funksion të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë në punë, KEK-u ka një komitet për siguri i cili takohet njëherë në muaj. Në kuadër të masave parandaluese punëtorët vazhdimisht dërgohen në vizita sistematike për të konstatuar gjendjen e tyre fizike, psikike dhe emocionale”, është thënë në njoftimin e MPMS-së.
Sipas këtij njoftimi, Këshilli Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë (KNSShP) ka vizituar edhe minierën jug-perëndim të Sibofcit, punën e ekskavatorëve atje dhe njësinë e prodhimit të energjisë, “Kosova A”.
/Epoka e re/