Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit: Vendimi i ZRrE-së, joligjor dhe zhvatës
Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit e ka quajtur të turpshëm dhe joligjor vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), që humbjet në rrjetin energjetik ta paguajnë qytetarët.
Në një konferencë për medie, Sherif Zejnullahu, kryesues i këtij këshilli, ka thënë se nëse Korporata Energjetike e Kosovës ka humbje, ZRrE-ja nuk ka të drejtë që ato t’ia faturojë qytetarit.
“KEDS-i dhe Qeveria kanë kontratë të përbashkët. Nëse ZRrE-ja arsyetohet se KEK-u ka humbje, KEK-u është palë e tretë dhe nuk ka të drejtë ZRrE-ja të marrë vendim që humbjet e palës së tretë t’ia faturojë konsumatorit. Ky vendim i marrë më 20 gusht është antiligjor, antimoral, i dëmshëm dhe nuk gjen arsyeshmëri”, ka deklaruar Fejzullahu.
Ai ka thënë se është e padrejtë kur thuhet nga KEDS-i dhe ZRrE-ja se ky vendim për faturim tek konsumatori është normal.
“Këshilli është i indinjuar me këtë vendim dhe ne porositim konsumatorët që këtë dëm në asnjë mënyrë të mos ta pranojnë”, ka thënë Fejzullahu.
Sipas tij, humbjet e KEK-ut, që ZRrE-ja dëshiron t’i rregullojë përmes konsumatorëve është e padrejtë dhe konsumatorët dhe qytetarët duhet ta ngrinin zërin e tyre.
Ndërsa, anëtari i Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, Selatin Kaçaniku, i mllefosur me vendimin e ZRrE-së, ka thënë se kjo është hera e parë që ky këshill reagon në këtë mënyrë, pasi sipas tij humbjet e të tjerëve po u faturohen qytetarëve në xhepat e tyre.
“Humbjet e energjisë elektrike në rrjetin e KEDS-it, ato i faturohen qytetarëve dhe ne e konsiderojmë vendim joligjor, indinjues, detyrues apo më mirë thënë zhvatës, të turpshëm dhe të papranueshëm. Konsumatori nuk e ka obligim dhe as përgjegjësi të i mbuloj humbjet e KEK-ut dhe as të Qeverisë”, është shprehur Kaçaniku.
Ai ka theksuar se vendimi i ZRrE-së është plotësisht i kundërligjshëm dhe me vendimin e tyre do ta pësojnë konsumatorët, pasi që kjo ndikon në rritjen e çmimeve dhe këtë duhet ta paguajnë taksapaguesit.