Këshilli për Sport: Dyshimet për kurdisje në dy ndeshje janë adresuar në prokuroritë kompetente
Ferizaj-Dukagjini dhe Trepça ’89-Prishtina janë përfolur në opinion si dy ndeshjet e manipuluara në xhiron e fundit të Superligës. Lidhur me dyshimet për kurdisje ka reaguar edhe Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive.
Ky Këshill për Sport zbulon se dyshimet për kurdisjet eventuale janë adresuar menjëherë tek prokuroritë kompetente për verifikimet dhe hetimet e nevojshme.
“Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive (Këshilli për Sport) me vëmendje të shtuar e ka përcjellë zhvillimin e ndeshjeve të xhiros së fundit të Kampionatit të Kosovës në Futboll, duke përfshirë edhe reagimet e shumta të opinionit sportiv në relacion me dyshimet për kurdisjen eventuale të rezultatit të dy ndeshjeve të Superligës së futbollit të zhvilluara ndërmjet KF Ferizaj-KF Dukagjini dhe KF Trepça ‘89-KF Prishtina. Këshilli për Sport e njofton opinionin publik se çështjet në fjalë i ka trajtuar me urgjencë, dhe dyshimet për kurdisje të rezultatit në dy ndeshjet e sipërshënuara të futbollit janë adresuar menjëherë tek prokuroritë kompetente për verifikimet dhe hetimet e nevojshme. Opinioni publik do të njoftohet me kohë lidhur me rrjedhën e procesit të hetimeve. Me respekt, Besim Kelmendi, Kryetar i Këshillit për Sport”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Këshilli për Sport, i drejtuar nga prokurori Besim Kelmendi.