Këshilli Prokurorial i Kosovës reagon kundër shpifjeve të deputetit të Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi
Këshilli Prokurorial i Kosovës, për shkak të shpifjeve të bëra në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, më 2 nëntor 2023, nga kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Adnan Rrustemi, më 3 nëntor 2023 bënë këtë reagim, si më poshtë:
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Këshilli Prokurorial i Kosovës, përmes këtij reagimi publik, shpreh shqetësimin e thellë ndaj shpifjeve dhe fyerjeve të bëra nga deputeti Adnan Rrustemi në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ngase i njëjti, duke keqpërdorur besimin e qytetarëve, ka shpifur dhe propozuar iniciativë për shkarkimin e anëtarit të KPK-së, profesorit Agron Beka, duke vënë në lajthitje Komisionin dhe deputetët, pa pasur asnjë argument ligjor, por vetëm me qëllim të denigrimit të figurës së tij dhe me qëllim të realizimit të interesave politike për ndërhyrje në sistemin prokurorial veçanërisht para proceseve të rëndësishme që janë në vazhdim e sipër.
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës dhe të nderuar deputetë, Ju njoftojmë se, anëtari i KPK-së, z.Beka, për angazhimin e tij në KPK nuk ka asnjë vërejtje në ushtrimin e detyrës së tij, asnjë shkelje dhe aq më pak procedurë. I njëjti me punën e tij dhe profesionalizmin e treguar ka ndihmuar dhe po ndihmon sistemin prokurorial dhe KPK-në në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive kushtetuese. Tendenca e djeshme nga deputeti në fjalë, duke mos e ruajtur aspak profesionalizmin, duke iniciuar procedurë për shkarkim në bazë të disa letrave nga disa njerëz të akuzuar tanimë nga prokuroria, që fare nuk kanë të bëjnë me KPK-në dhe duke dashur që t’ia imponojë Kuvendit edhe informatat shpifëse dhe fyese, dëshmon se kjo urrejtje dhe tendencë është për të ndërhyrë në institucionin e pavarur dhe kushtetues – në Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Deklarata e deputetit Rrustemi të thëna në Kuvendin e Kosovës se “z.Beka ka keqpërdorur detyrën dhe se ka ndikuar që përmes anëtarit të KPK-së të avancohet dhe se ndaj të njëjtit ka shumë procedura – kallëzime penale dhe civile, të gjitha të mbështetura në provat”, sipas deputetit Rrustemi, me qëllim të informimit të drejtë dhe të saktë, Këshilli Prokurorial i Kosovës kërkon nga z.Rrustemi që pretendimet me prova t’i deponojë në organin e akuzës, me qëllim që të dalë e vërteta në pah.
Nëse i njëjti nuk e bënë një veprim të tillë dhe se pretendimet e z.Rrustemi nuk faktohen, atëherë ndaj tij do të ketë reagime ligjore.
Këshilli Prokurorial i Kosovës, edhe njëherë, potencon se z.Agron Beka ka vepruar në kuadër të autorizimeve të veta si anëtar i KPK-së dhe këtë vlerësim nuk mund ta bëjë askush tjetër përpos organit ku punon dhe vepron. Tendenca për të folur në emër të KPK-së dhe tendencat për t’i zbatuar qëndrimet e keqpërdoruesve të Fakultetit Juridik – UIBM në Mitrovicë janë edhe një dëshmi se po tentohet të merret nën kontroll institucioni më i rëndësishëm kushtetues, i cili është themel për ta ruajtur sigurinë juridike në këtë vend.