Këshilli Prokurorial, i përkushtuar për luftimin e dhunës në baza gjinore

13 maj 2019 | 15:59

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial (KPK), Bahri Hyseni, ka pritur në takim përfaqësueset e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Adelina Berisha, e cila është Koordinatore për avokim kundër dhunës ndaj gruas dhe Klarista Fetahun, Koordinatore e Projektit “UNWoman”.

Me këtë rast, kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, ka theksuar nevojën e fuqizimit të bashkëpunimit me Rrjetin e Grave të Kosovës në kuadër të iniciativave dhe evenimenteve të ndryshme vjetore, të cilat organizohen nga të dyja palët, të cilat do të ndikonin drejtpërsëdrejti në avancimin dhe fuqizimin e rolit të institucioneve në luftimin e dhunës në familje dhe cenimin e barazisë gjinore në Kosovë. “Bashkëpunimi me Rrjetin e Grave të Kosovës do të vazhdojë në të ardhmen me dinamikën e evidentuar në aktet strategjike, sidomos pas ndryshimeve ligjore, ngaqë sistemi prokurorial do të ketë një përkushtim të veçantë në luftimin e çfarëdo forme të shprehur të dhunës ndaj grave dhe rasteve të dhunës në baza gjinore në Kosovë”, ka thënë Hyseni.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e RrGK-së, Adelina Berisha, ka njoftuar kryesuesin e KPK-së, Bahri Hyseni, për publikimin e një hulumtimi të veçantë, i cili është nxjerrë me rastin e monitorimit të reagimit institucional ndaj dhunës me bazë gjinore me titull: “Nga Fjalët në vepra?”, duke kërkuar njëherësh që Këshilli të dërgojë një prokuror në ekspozitën “Përmirësimi i qasjes në shërbimet për gratë”, e cila pritet të mbahet brenda këtij muaji,  për t’iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve, si dhe që kjo ekspozitë të hapet në secilën prokurori të vendit.

Kjo ekspozitë ka për qëllim të promovojë rolin e institucioneve në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe raportimit të dhunës në baza gjinore.

Të dyja palët u pajtuan që të punojnë së bashku në çështjet e ndërsjella, me ç’rast do të dalë në pah raportimi i rregullt ndërinstitucional i dhunës ndaj gruas dhe rasteve të dhunës në baza gjinore.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të projektit, “Mbështetje stabilitetit socio-ekonomik në rajonin e…