Këshilli Prokurorial i reagon Kurtit: Kryeprokurorin e zgjedhim ne
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) i ka reaguar kandidatit për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, pas deklaratave të tij lidhur me Kryeprokurorin e Shtetit, duke aluduar në shkarkimin e tij nga organet kompetente.
Përmes një reagimi drejtuar medieve, KPK-ja i ka bërë thirrje Kurtit dhe kandidatëve të tjerë që të jenë të përmbajtur në deklaratat e tyre dhe të mos përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e gjyqësorit, përkatësisht, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit.
KPK-ja ua ka kujtuar kandidatëve se kryeprokurori zgjedhet dhe i përgjigjet vetëm Këshillit Prokurorial.
“Më këtë rast, theksojmë se sistemi prokurorial me mbështetje të fuqishme edhe të partnerëve ndërkombëtarë është duke u angazhuar maksimalisht për avancimin e mekanizmave të brendshëm në fuqizim të llogaridhënies, transparencës dhe efikasitetit, si dhe forcimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, është thënë në reagimin e KPK-së.
Ndryshe, Kurti mbrëmë ka thënë se në sistemin e drejtësisë do të shkojë kryeprokurori i shteti, duke aluduar në shkarkimin e tij nga organet kompetente. Megjithatë, Kurti ka thënë se nuk do të shkojë veç Aleksandër Lumezi, por edhe shumë të tjerë.
“Ne nuk jemi në qeveri edhe ne ishim 50 ditë në kohë të pandemisë. Tash po vijmë për 4 plus 4 vjet. Dhe jo veç Lumezi, por kanë me shkuar plot. Dhe s’ka me u kthyer veç Elezi, por kanë me u kthyer plot të tjerë”, është shprehur Kurti në “RTV Dukagjin”.