Këshilli Prokurorial kundërshton vlerën e koeficientit të pagave

01 shkurt 2023 | 16:13

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka njoftuar opinionin publik se në vazhdimësi ka marrë pjesë në grupet punuese gjatë procesit të hartimit të Ligjit për pagat në sektorin publik, me ç’rast ka ofruar propozime dhe komente konkrete lidhur me këtë ligj, por të cilat nuk janë marrë parasysh nga organet përkatëse.

Sipas KPK-së, me rastin e publikimit të vlerës së koeficientit nga ana e qeverisë, faktikisht është vërtetuar hapur se janë ulur ndjeshëm pagat e prokurorëve të shtetit dhe pagat e një pjese të stafit administrativ në sistemin prokurorial të Kosovës.

“Më ketë rast, duke shprehur kundërshtimin tonë të fuqishëm lidhur me caktimin e koeficientit të pagave, kërkojmë edhe njëherë që të realizohet kërkesa e Këshillit Prokurorial drejtuar Avokatit të Popullit për referimin e Ligjit për pagat në sektorin publik në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. KPK-ja konstaton përfundimisht se me këtë rast është cenuar funksionalizimi i sistemit prokurorial, ngaqë pretendimet e ngritura me kohë janë të mbështetura në aktet, praktikat dhe standardet ndërkombëtare dhe, të cilat nuk mund dhe nuk duhet të cenojnë pavarësinë dhe funksionalizimin e asnjë pushteti”, është thënë në reagimin e KPK-së.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të mërkurën që vlera e koeficientit të pagave të jetë 105 euro.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot (mërkurë) është bërë kategorizimi i 24 trajnerëve sportivë për…