Këshilli Prokurorial prezanton draftin e planit strategjik 2022-2024
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur të enjten takim për prezantimin dhe diskutimin e draftit të planit strategjik të sistemit prokurorial 2022-2024. Në këtë takim, përveç anëtarëve të grupit punues për hartimin e këtij plani, morën pjesë edhe partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët monitorojnë sistemin prokurorial.
Takimi u hap nga kryesuesi i grupit punues për hartimin e plani strategjik, zëvendëskryesuesi i KPK-së, Veton Shabani, i cili ka falënderuar të gjithë ata që kanë mbështetur draftimin e këtij plani, me theks të veçantë partnerët ndërkombëtarë.
Ai ka thënë se drafti i planit strategjik të sistemit prokurorial 2022-2024 paraqet kornizën kryesore të planifikimit të politikave për menaxhimin e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës në tri vjetët e ardhshëm.
Në këtë takim, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se qëllimi i këtij plani është realizimi i objektivave të parapara, me ç’rast në fokus të veçantë të kësaj strategjie janë vënë edhe ndëshkimi i korrupsioni, krimit të organizuar dhe i disa veprave të tjera penale, që, faktikisht, mbajnë peng edhe zhvillimin e vendit dhe janë shumë të rëndësishme edhe në proceset e integrimit në Bashkimin Evropian.
Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, ka theksuar se plani strategjik paraqet një kornizë të gjerë të veprimtarisë së sistemit prokurorial, duke u mbështetur në praktikat më të mira vendore dhe ndërkombëtare.
Ai ka shtuar se në këtë dokument janë vlerësuar edhe sfidat dhe rreziqet që mund të paraqitën gjatë zbatimit në praktikë, sidomos ato që kanë të bëjnë me reforma në sektorin e drejtësisë, përkatësisht me ndryshimet ligjore.