Këshillit Prokurorial i Kosovës, mban takimin të rregullt, merren këto vendime
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi Jetish Maloku, ka mbajtur Takimin e 234-të me radhë, sipas agjendës së paraparë.
Fillimisht është themeluar Paneli hetimor për rastin e një prokurori në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe janë miratuar Raporti analitik i Mekanizmit Përcjellës Ndërinstitucional për veprat penale karakteristike për periudhën kohore 2013- 2022, me disa rekomandime të anëtarëve të KPK-së dhe Raporti vjetor për vitin 2022 për zbatimin e Planit të Veprimit të Planit Strategjik të Sistemit Prokurorial (2022-2024).
Po gjatë këtij takimi, Këshilli Prokurorial themeloi Komisionin për Kushte të Tregut të Punës, në përputhje me Rregulloren për Shtesat dhe Kompensimet e të Punësuarve në Sistemin Prokurorial, në përbërje të të cilit do të jenë – një anëtar i Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel, një anëtar i Komisionit për Çështje Normative dhe një anëtar nga radhët e administratës së sistemit prokurorial.
Gjithashtu, KPK-ja caktoi znj. Shqipe Hykolli në detyrën e Ushtrueses së Detyrës të Drejtoreshës së Përgjithshme të Sekretariatit të KPK-së deri në zgjidhjen e drejtorit të ri dhe trajtoi Raportin e Panelit Hetimor ndaj një prokurori në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Në përfundim të takimit janë shqyrtuar edhe kërkesa për plotësimin dhe ndryshimin e Planit të Personelit Administrativ për vitin 2023 dhe kërkesa për ricaktimin e dy prokurorëve të Shtetit në prokuroritë e vendit.