Këshilltarë, strategë dhe financues të mëdhenj: Ekipi Kamala
Të gjithë burrat (dhe gratë) e zëvendëspresidentes. Një “Ekip Kamala” i përbërë nga anëtarë të familjes, këshilltarë, donatorë dhe aleatë, një pjesë kalifornianë si ajo – pra të përkushtuar, në modë, holistik dhe bohemë – të cilët në vetëm një javë jo vetëm që kanë zëvendësuar veteranët e politikës që përbënin rrethin magjik dhe pak si tepër protektiv të Presidentit Biden, por edhe kanë qenë në në gjendje të mobilizonin kaq shumë mbështetës, të vegjël e të mëdhenj sa të mblidhnin deri në 200 milionë dollarë: ndihmë vendimtare për t’i dhënë një shtysë të madhe fushatës.
Familja
Kolona e Harris është burri i saj Doug Emhoff, një avokat hebre, i cili hoqi dorë nga karriera për të marrë rolin e Zotërisë së Dytë, duke zgjedhur luftën kundër antisemitizmit si kauzën e mandatit të tij. Tani ai aspiron të jetë bashkëshorti i parë i një presidenteje.
Një e besuar është motra e saj më e vogël Maya, konsulente e fushatës së Hillary Clinton në vitin 2016 dhe më pas drejtore, në vitin 2020, e fushatës së dështuar të Kamalës, e cila synonte nominimin mes demokratëve.
Më pas vjen kunati i saj Tony West, bashkëshorti i Maya-s, ish-kryeprokuror i Departamentit të Drejtësisë dhe tani një peshë e rëndë në Uber, një grumbullues i aftë fondesh. Dhe vajza e të dyve, mbesa Meena, një producente e njohur, e cila është nominuar disa herë për Çmimet “Tony”, që janë “Oscar”-ët e Teatrit: herën e fundit për “Suffs”, muzikali mbi refugjatët, që ajo prodhoi me Hillary-në dhe Malala-n.
Këshilltarët dhe strategët
Harris ka konfirmuar disa figura që tashmë po punonin me të, duke filluar nga Phil Gordon, diplomat ekspert për Evropën dhe Lindjen e Mesme, dikur këshilltar i saj për sigurinë kombëtare. Së bashku me Mike Pyle, ish-i dërguar i Biden në G20 dhe ish-këshilltari i tij ekonomik. Më pas është Rohini Kosoglu, këshilltare për politikën e brendshme që e ka ndihmuar në të kaluarën të përgatitet për t’u përballur me debatet. Përpjekja e vazhdueshme për të tërhequr ish-besnikët e Obamës si Karen Dun, David Plouffe dhe Rahm Emanuel, ish-kryetar i bashkisë së Çikagos dhe më pas shefi i shtabit të Obamës, flet qartë për synimin për të inicuar më shumë politika pro-buxhetore se sa ato aktuale.
Për të vlerësuar zëvendësit e mundshëm ajo telefonoi ish-sekretarin e Drejtësisë të Barack-ut, Eric Holder. Në krye të fushatës ka mbajtur Jen O’Malley Dillon, ish-këshilltarja kryesore e Biden-it. Dhe Julie Chávez Rodríguez, mbesa e kryesindikalistit legjendar, Cesar. U ka afruar si bashkëpresident edhe guvernatoren e Miçiganit, Gretchen Whitmer, të cilën disa shpresonin ta shihnin si zëvendësen e saj.
Financuesit
Harris ka shumë miq në Wall Street. Kryesori është Jon Henes, një konsulent i specializuar në falimentimet e korporatave, i cili tashmë ka koordinuar mbledhje të rëndësishme fondesh për të. Ajo është gjithashtu shumë e afërt me Ray McGuire, president i Lazard, një kompani globale e konsulencës financiare, i njëjti që kandidoi edhe në zgjedhjet primare për postin e kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut.
Gruaja e tij, Crystal McCrary, është një peshë e rëndë në Projektin Seneca, e angazhuar për mobilizimin e grave në shtetet e lëkundur. Aleatë janë miliarderi Jonathan Grey, president i kompanisë së investimeve Blackstone, Roger Altman, bashkëthemelues i Evercore dhe Marc Lasry, bashkëpronar i ekipit të basketbollit Milwaukee Bucks.
Sipërmarrësit
Reed Hastings, presidenti i Netflix, bëri presion të fuqishëm për tërheqjen e Biden-it: dhe menjëherë më pas nxitoi të derdhte 7 milionë dollarë në fushatën e Harris. E njëjta gjë u shpreh edhe nga Reid Hoffman, bashkëthemelues i LinkedIn, i cili tha publikisht “Ajo do të jetë e mirë për biznesin” (duke zemëruar si demokratët ashtu edhe republikanët). Në Silicon Valley mbështetet tek Brad Smith i Microsoft-it dhe mbi të gjitha te Sheryl Sandberg, ish-drejtoreshë e operacioneve të Meta-s.
Hollywood
Me bashkëshortin Doug të specializuar në të drejtat e autorit për filma, çifti ka shumë miq në Hollywood. Chrisette, gruaja e Reginald Hudlin, producentit afrikano-amerikan të “Django Unchained”, organizoi takimin ku të dy u njohën. Miqtë e ngushtë janë Dana Walden, bashkë-presidente e Disney Entertainment, Nicole Avant, gruaja e bashkë-drejtorit të Netflix, Ted Sarandos. Dhe Laura Shell, gruaja e Jeff, CEO i Paramount. / La Repubblica – Bota.al